Pika e dyshimtë ku është bërë ndërhyrja, është pikërisht vula e institucionit të QKR, e cila sipas verifikimeve vula e vendosur në këto dokumenta ka hyrë në fuqi në datë 20.11.2013. Sipas QKR në qoftë se këto dokumenta do ishin depozituar në QKR në datën 14.10.2010, sipas shënimit me dorë, duhet të kishin vulën e kohës me specifikat përkatëse. Verifikimi i ILDKP dhe QKR është kryer për kompanitë “Bio Gourmet”,“Best Buy Drug Store”, “Albcos”, “Albania Duty Free Distribution”, “Prestige” dhe “Vintage Second Hand & Neë”.
Tregëtari, anëtar i KLD
Nga verifikimet e kryera u konstatua mospërputhje midis dokumentacionit të paraqitur nga subjekti Gjin Gjoni në datë 12.05.2014 dhe përgjigjeve të ardhura nga QKR në datë 02.05.2014, të administruara në dosje. Po kështu nga kqyrja e dokumentacionit të paraqitur nga subjekti u konstatuan shkelje ligjore. Dyshohet gjithashtu se Gjin Gjoni ka ushtruar detyrën e Gjyqtarit të Apelit dhe Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në kohën që ishte aksioner aktiv në bizneset e regjistruara të familjes në mënyrë krejtësisht të paligjshme dhe në konflikt interesi.
“Këto mospërputhje dhe shkelje ligjore të konstatuara krijuan dyshimin e arsyeshëm se kemi të bëjmë me dokumenta të falsifikuara të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni, me qëllimin e vetëm shmangien nga përgjegjësia e rëndë ligjore që ka në ushtrimin e funksionit të Gjyqtarit të Apelit dhe Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet organike si dhe duke vazhduar ushtrimin e këtyre funksioneve në konflikt interesi, duke zotëruar aksione në mënyre aktive prej vitit 2010”,-thuhet në deklaratë të ILDKP. Sipas ILDKP veprimet e kryera nga gjyqtari Gjoni janë shumë të rënda, sepse kryhen siç thuhet në njoftim nga një zyrtar i lartë i drejtësisë, janë edhe më të rënda nëse merret parasysh tentativa për falsifikim dhe ndërhyrje të paligjshme në sistemin e të dhënave të QKR-së, institucion që ka bërë kallëzim penal për gjyqtarin Gjoni, bashkëshorten e tij dhe 3 bashkëpunëtorët, mes të cilëve 2 noterë.
Shkarkimi i Gjonit
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka filluar praktikën ligjore për nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Apelit në Tiranë Gjin Gjoni.Kjo lëvizje e Naços, vjen pas një shkresë të mbërritur në zyrën e tij nga kryeinspektori Shkëlqim Ganaj, i cili e ve në dijeni se gjyqtari Gjoni ka refuzuar të deklarojë pasurinë e tij, duke shkelur rëndë ligjin, gjë e cila duket se do sjellë dhe kërkesën për shkarkimin e Gjonit. Nisur nga kjo situatë, Nasip Naço ka urdhëruar nisjen e verifikimeve për të mësuar rreth fshehjes ose jo të pasurisë nga ana e gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni, njëherësh anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
PAS HETIMIT, ILDKPKI DEL NE KONKLUZIONET:
Pasi ILDKPKI ka hetuar hyrjen e dokumentave të pasurisë së gjyqtarit dhe gruas së tij në institucion, ka verifikuar që vulat e vendosura mbi to nuk ishin të rregullta; që dokumentat nuk ishin regjistruar në mënyrë elektronike, por futur fizikisht nëpër dosje; nuk kishin çertifikatë regjistrimi dhe në vendimet e marra nga bashkëshortët, i ashtuquajturi person i besuar nuk përmendej në asnjë moment. Si rezultat:
- Konstatohet se Vendimi i datës 14.10.2010 dhe Akt–Marrëveshja e dt.14.10.2010 e shoqërisë “Bio Gourmet” shpk të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara.
- Konstatohet se Vendimi i datës 21.12.2011 dhe Akt–Marrëveshja e dt. 21.12.2011 e shoqërisë “Best Buy Drug Store” shpk të paraqitura nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara.
- Konstatohet se Vendimi i datës 09.01.2012 dhe Akt–Marrëveshja e dt. 09.01.2012 e shoqërisë “Albcos” shpk të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara.
- Konstatohet se Vendimi i datës 11.06.2013 dhe Akt–Marrëveshja e dt. 11.06.2013 e shoqërisë “Albania Duty Free Distribution” shpk të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara
- Konstatohet se Vendimi i datës 11.06.2013 dhe Akt–Marrëveshja e dt. 11.09.2013 e shoqërisë “Prestige Group” shpk të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara
- Konstatohet se Vendimi i datës 11.06.2013 dhe Akt–Marrëveshja e dt. 11.06.2013 e shoqërisë “Vintage Second Hand & New” shpk të paraqituara nga subjekti Gjin Gjoni janë dokumenta fiktive dhe të falsifikuara.
DENONCIMI NGA "SHQIPTARJA.COM" DHE "A1REPORT!"
Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Gjin Gjoni, u denoncua nga gazeta "Shqiptarja.com" për pasurinë e tij të madhe, të padeklaruar ose deklaruar jo saktë, në institucionin përkatës. "Shqiptarja.com" publikoi kontratat që provonin se gjyqtari ishte ortak në disa kompania me bashkëshorten e tij dhe kishte bërë lëvizje aksionesh disa herë për t'iu fshehur deklarimit. Lexo: Gjoni, tjetër dhuratë gruas, i fal 50% të aksioneve
Në datën 23 prill, Inspektorati i Lartë ka bërë kallëzim pasi ka kontrolluar pasurinë e gjyqtarit Gjoni dhe bashkëshortes së tij, Elona Çaushi për shumat e padeklaruara: 1 842 796 euro, 180 mijë dollarë dhe 53 270 000 lekë.
Po ashtu, televizioni "A1Report!" zhvilloi me të një bisedë telefonike, në të cilën Gjonit iu kërkua të vërtetojë burimin e pasurisë së tij të madhe, kompani, dyqane, vilë, ora për të cilat ai u përgjig se nuk ishin prona të tij, por të bashkëshortes ose dhurata të saj. Lexo: "Pasuritë e mia janë të gruas" Lexo: Vila 700 mijë euroshe e gjyqtarit
(Njoftimi i publikuar nga ILDKPKI-ja lidhur me verifikimin e pasurisë së gjyqtarit)
Noterja: “Gjin Gjoni asnjëherë në zyrën time”
Noterja Majlinda Demollari, e akuzuar nga ILDKP-ja si bashkëpunëtore e gjyqtarit Gjin Gjoni në fshehjen e pasurisë dhe falsifikimin e dokumenteve, ka hedhur poshtë akuzat, duke theksuar se gjyqtari nuk ka noterizuar asgjë në zyrën e saj. Noterja i kërkon ILDKP- së që të saktësojë të dhënat, duke theksuar se gjyqtari Gjin Gjoni nuk ka qenë asnjëherë në zyrën e saj. “Do të ketë keqkuptim në kallëzimin e ILDKP-së, Gjoni nuk ka qenë asnjëherë në zyrën time, nuk ka noterizuar asgjë tek unë.”- shprehet noterja Demollari.
Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)