TIRANE - Pas akuzave të Ilir Metës kundër kryeministrit Berisha të bëra publike dje, një tjetër aleat i qeverisë ka hedhur sot akuza ndaj tij.

Pas më shumë se 20 vjetësh e djathta shqiptare ka nevojë për një revolucion të ri politik. Kjo është deklarata dhënë sot nga kreu i Partisë Republikane (PR) dhe njëherësh ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë zhvillimit të një konference për mediat.

Mediu hodhi akuza ndaj kryeministrit Sali Berisha se ka një copëtim të së djathtës shqiptare për interesa personale. Sipas kreut të Partisë Republikane, shefi i qeverisë duhet të dijë të bëjë të funskionueshëm të gjithë të djathtën shqiptare dhe të dëgjohen idetë e gjithsecilit.

“Mbas më shumë se 20 vjetësh e djathta ka nevojë për një revolucion të ri politik, i cili të bazohet mbi ide të qarta në kushtet e reja në të cilat është shoqëria dhe politika shqiptare. Ky coptim pa kriter i të djathtës duhet të zëvendësohet me një integrim strukturor dhe politik. Diferencat dhe idetë e ndryshme brenda saj përbëjnë dhe duhet të përbëjnë mozaikun e vlerave më të mira të së djathtës, e cila nuk përjashton, por përfshin dhe përfaqëson. Idetë tona duhet të përshtaten me filozofinë e djathtë Evropiane dhe atë amerikane, në përputhje me atë që ne duam të ndërtojmë. Këto ide apo qëndrime programore duhet të analizojnë gjithë qëndrimin tonë në këto vite”, tha Mediu.

Dje aleati i qeverisë Ilir Meta, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim akuzoi qeverinë se ka marrë autonominë vendore dhe që nuk është e drejtë në politikat e saj rishpërndarëse, duke iu referuar lënies në harresë të qytetit të Beratit.

MEDIU: RAMA PERGJEGJES PER MOSMMARRJEN E STATUSIT
Me të njëjtin qëndrim kritik Mediu u shpreh edhe ndaj opozitës shqiptare, teksa akuzoi Partinë Socialiste si përgjegjëse për mosmarrjen e statusit kandidat të Shqipërinë për në Bashkimin Evropian. Ai iu drejtuea Prtisë Socialiste duke i bërë thirrje për votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, dhe që njëherësh janë kushte nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat në BE.

"Në mënyrë krejt të papërgjegjshme, me një qëndrim antikombëtar, për interesa dhe kalkulime të ngushta partiake, Rama dhe Partia Socialiste nuk votuan tre ligje të kërkuara nga BE”, tha Mediu në konferencën e degës së Tiranës të PR. Justifikimet ishin nga më të ndryshmet, ato fshihnin një kënaqësi të heshtur, për mosmarrjen e statusit dhe për t’a konsideruar këtë dështim të maxhorancës, por njëkohësisht duke ndjekur një linjë, e cila tashmë është ekzistente, ajo shfaqet herë haptas dhe herë në mënyra të tjera kunder anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke e mbuluar me luftën opozitare”, tha më tej kreu republikan, u shpreh Mediu.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)