Një tjetër denoncim për përdorim të dhënash personale është bërë në Shkodër. Një 57-vjeçar ka kallëzuar në polici se një person që nuk e njeh ka aplikuar dhe është pajisur me dokumente identifikimi me të dhënat e tij në vitin 2011. Policia thotë se ka nisur hetimet dhe po punon për të identifikuar dhe kapur personin e denoncuar.

“Në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi P. Gj., 57 vjeç, i cili ka kallëzuar se në vitin 2011, një shtetas që nuk e njeh, ka aplikuar dhe është pajisur me dokumente identifikimi me të dhënat e tij. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.”, thuhet në njoftimin e policisë së Shkodrës.

Ky denoncim vjen një ditë pasi policia vuri nën hetim një 56-vjeçar me inicialet F.R për një rast vjedhjeje të dhënash personale të ndodhur në të njëjtin vit, në 2011. Ai u denoncua nga një 30-vjeçare, e cila pretendonte se në vitin 2011, ky person, asokohe në detyrën e përgjegjësit të Zyrës së Gjendes Civile në fshatin Gruemirë i ka vjedhur të dhënat personale të saj dhe të prindërve të saj.

Këto të dhëna, sipas denoncueses, janë përdorur më pas nga një person tjetër për të aplikuar për dokumente identifikimi.