Tjetërsimi i tokave në Durrës, ‘koka’ e vjedhjes Ardit Kërtusha! Një pronë u regjistrua në emër të një të vdekuri, një tjetër s’kishte dijeni se ishte pronar

Ardit Kërtusha, ish-kandidati i PS, në Durrës në 2020-ën që iu bashkua PD-së së Lulzim Bashës në 2021 është koka e vjedhjes së tokave shtetërore pranë Universitetit të Durrësit. 35-vjecari u arrestua një ditë më parë bashkë me zyrtarë të Kadastrës dhe persona të tjerë që kanë bashkëpunuar për të tjetërsuar pronësinë e sipërfaqes 151 mijë metra katrorë. Në dosjen e siguruar nga Report TV, Kërtusha ndërhyn në dy raste për përfitimin e tokës me dokumente false.

Konkretisht, toka me sipërfaqe 75 mijë metër katror, e cila rezultoi në pronësi të Lirim Xhametës, në fakt nuk ishte e tija, pasi vetë ai pas marrjes në pyetje deklaroi se asnjëherë nuk ka pasur dijeni të jetë përfitues i kësaj sipërfaqe pranë Universitetit të Durrësit. Për të kryer këtë manovër, mes familjes Xhameta dhe Gjovalin Ndocit është nënshkruar një prokurë te noteri, përmes së cilës në fakt autorizohet Ndoci që të vijojë me shitjen e pronave 75 mijë metër katror, por në fakt Xhametët nuk kishin asnjë ide të tillë. Familja dha firma në këmbim të 200 mijë lekëve, të cilat iu dhanë nga “Diti”, emrin e të cilit Lirimi nuk e di, por që ishte ai u kërkoi ta nënshkruajnë dokumentin te noteri. Pas kësaj, Gjovalin Ndoci shiti në subjekte të ndryshme pasurinë në 4 pjesë me një vlerë totale 17 milionë lekë brenda vetëm 20 ditëve.

Por, si u regjistruan fillimisht këto prona në emër të Lirim Xhametës?

Akti i marrjes së tokës në pronësi në emër të Xhametës rezulton që në qershor 1999 dhe dyshohet se është tërësisht i falsifikuar pasi vetë Lirim Xhameta nuk ka asnjë dijeni se ka përfituar tokën si ish-pronar dhe aq më tepër në sipërfaqe kaq të madhe. Regjistrimi i kësaj toke është futur arbitrarisht në arkivën e Kadastrës së Durrësit në vitin 2019, në numër reference të vitit 2010. Nga verifikimi rezulton se faqet e shtuara nuk kanë linjë kronologjike me ato paraardhëse dhe pasardhëse dhe 2 të pyeturit, Shpresa Kaloshi, plotësuese e inventarit dhe kryeregjistruesi Bedri Luku mohojnë të kenë nënshkruar në këto faqe. Po ashtu janë falsifikuar edhe rivlerësimet e pronave që kapin vlerën totale prej 270 milionë lekësh. Për të regjistruar të katër pasuritë në emër të Lirim Xhametës, Gjovalin Ndoci ka dorëzuar fillimisht te noteri dhe më pas në ASHK certifikata pronësie dhe harta treguese të falsifikuara si të jenë të vitit 2010 dhe kartela pasurie në emër të Lirim Xhametës, por pa datë regjistrimi. Këto janë bërë nga juristi Mikel Zako dhe hartografi Malvino Turku, të ngarkuar nga përgjegjësia e zonës Albana Gjoni dhe të gjitha veprimet në ASHK janë bërë në një ose dy ditë. Të gjitha veprimet e para në maj 2019 janë bërë nga ish-juristja në ASHK Durrës, Aida Kila.

76 mijë metër katror tokë tjetër, u regjistruara në emër të një personi të vdekur ne vitin 2003, Dilaver Taulla

E njëjta skemë është përdorur edhe për përfitimin e 76 mijë metër katror tokë tjetër, kësaj here të regjistruara në emër të një personi të vdekur ne vitin 2003, Dilaver Taulla. Për këtë, Krenar Karati kontaktoi djalin e Taullës, Dashnor Taullën, të cilit i tha se njihte një person që mund t’i rregullonte dokumentet për të përfituar tokë, Ardit Kërtushën! E gjitha familja ka firmosur te noteri, pa e ditur saktësisht çfarë do të përfitojnë. Muaj më vonë Dashnori u ka kërkuar llogari se çfarë po ndodhte, dhe ka debatuar me Ardit Kërtushën, por Krenari i ka garantuar se çdo gjë është në rregull. Pas nisjes së hetimeve Dashnor Taulla është pyetur në prokurori dhe pas kësaj ka takuar Arditin dhe Krenarin, por Arditi i ka thënë se marrëveshjen e ka pasur me Krenarin dhe jo me Dashnorin.

Në prokurori Kërtusha ka mohuar të njihet me familjen Taulla. Hetuesit sekuestruan te noteri dokumentin ku familja Taulla kishte firmosur se ishte pronare e 76 mijë metrave katror tokë dhe në lidhje me to i japin tagër të plotë tjetërsimit të saj Oliver Xhamuçës. Aktet në Kadastrën e Durrësit janë tërësisht të falsifikuara pasi Dilaver Taulla ka vdekur në vitin 2003 dhe sipas familjarëve nuk kanë pasur asnjë dijeni se në 2010-ën atij i takonte tokë në Spitallë si ish-pronar. Edhe në këtë rast faqet e shtuara nuk kanë linjë kronologjike dhe po ashtu kryeregjistruesi mohon të ketë nënshkruar dhe aq më pak te ketë lëshuar certifikatat për këto prona. Po ashtu rivlerësimet e këtyre pasurive janë të falsifikuara dhe kapin vlerën e 273 milionë e 600 mijë lekëve. Për të gjitha këto manovra, Oliver Xhamuça u tha hetuesve se nuk njihte asnjë prej anëtarëve të familjes Taulla, por kishte firmosur disa dokumente te noteri pasi ia kishte kërkuar Ardit Kërtusha, që do përfitonte tokë dhe i kishte premtuar para. Të gjithën sipas tij e ka bërë për nder të “Ditit” dhe më pas nuk kishte asnjë dijeni se çfarë është bërë.

Nga hetimi ka rezultuar se i gjithë mekanizmi në të dyja rastet si në atë të Lirim Xhametës dhe të Dilaver Taullës është identik dhe është bërë nga të njëjtët persona????. Në lidhje me këtë veprimtari kriminale, Prokuroria e Durrësit lëshoi 16 masa sigurie për ish-zyrtarë dhe pronarë. Lirim Xhameta përfitoi 200 mijë lekë përfitim dhe anëtarët e tij të familjes ishin në dijeni. Gjovalin Ndoci pasi bëhet pronar në vetëm 20 ditë i shet të gjitha. Dashnor Taulla ka përfituar para, ndërsa familjarët e tij kanë pasur dijeni se babai i tyre nuk ka pasur tokë dhe me dashje kanë ndihmuar Dashnorin, Krenar Karatin dhe Ardit Kërtushën të përfitojnë. Oliver Xhamuça, edhe pse i pakujdesshëm në leximin e dokumenteve që firmosi, sërish me dijeni ndihmoi Kërtushën në veprimtarinë kriminale në këmbim të parave. Punonjësit e Kadastrës së Durrësit, zv. drejtori Leonard Kadrimi dhe juristët Aida Kila dhe Mikel Zahi, me verime dhe mosveprime krijuan lehtësira për tjetërsimin e pasurive me sipërfaqe 151 mijë metra katror.

Sipas të njëjtës skemë janë përfituar dhe sipërfaqe të tjera toke në Durrës, nga persona të ndryshëm që prokuroria i ka në hetim. Në total janë 448 mijë metra katorë tokë shtet që i kanë kaluar privatëve me dokumente false.

M.Q./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ska problem: 13/04/2024 22:36

    Te gjith pronat ne Durres toke apo apartamente sot zoterohen nga bandat kriminale qe mbeshteten nga politika . Asnjeri nuk e vleresoi dorheqje e Artan Lames u largua pasi e kishte te pamundur ti perballone krimin e legalizimit e pronave me dokumentacion te fallsifikuar premtime qe benin ne fushte zgjedhore

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit