/ATSH-Arbi Fortuzi/.- Referuar kërkesës së Task Forcës "Për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore" për procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit Astrit Shema, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë Vlorë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka urdhëruar nisjen e inspektimit të menjëhershëm të rastit pranë kësaj gjykate.

Rasti për të cilin po hetohet gjyqtari ka të bëjë titullin e pronësisë të një sipërfaqe toke në Gjirin e Llamanit në Himarë.

Nga shqyrtimi i akteve bashkëngjitur kërkesës së kësaj Task Force, rezulton se më herët, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë kishte vendosur refuzimin e regjistrimit të pronës, me një sipërfaqe prej 29.28 ha, pranë Gjirit të Llamanit, Himarë, për shkak të mungesës së titullit të pronësisë, kur kërkuesit dispononin vetëm një vendim të vërtetimit të faktit juridik të vitit 1998.