Dua të radhis disa fakte që bien kryekëput në kundërshtim me argumentet gati qesharake të tij.
Kur unë u prononcova kundër grevës së urisë së deputetëve socialistë dhe e konfirmoj edhe sot, dhe koha tregoi se ne kishim të drejtë u quajta nga ky titullar intelektual, nga lideri i opozitës u quajtëm pseudo intelektualë dhe oborrtarë të qeverisë dhe ahengxhinj.
Tani mbas artikullit tim kritik për sundimtarin e TOB, ky i fundit në përgjigjen e tij më quajti nivel i ulët.
Tani pyes vetën në cilin grup mund të jemi ne oponentët e drejtorit? A ka ndonjë formulë që mund të përcaktojë se cilët mund të quhen intelektualë dhe njëherë intelektualë të nivelit të ulët. Ose t’ia lëmë në dorë drejtorit tonë të na quajë si të dojë ai.
Ju thoni që unë të dal artist i lirë dhe të shkoj jashtë si disa kolegë. Po mirë, dil edhe ti drejtor i lirë dhe shko të konkurrosh për drejtor jashtë.
Sa për akuzën se ne duam të zëmë kolltukun e drejtorit unë të kujtoj se në 22 firmat që u hodhën për të vazhduar zotëria juaj mandatin e dytë në 2006, unë isha i pari në listë.
Pra nuk qëndron as argumenti se dua të zë kolltukun tënd.
Në qoftë se unë qenkam nivel i ulët, përse ngule këmbë për një javë rresht që të më ofroje postin e drejtorit artistik, post të cilin unë nuk e pranova?
Po këta pensionistët që vazhdojnë akoma vullnetarisht të punojnë në Opera duhet të kenë vendimmarrje apo jo? Në fakt ata janë në vendimmarrje. Gjë që nuk lejohet.
Ju luta gazetares që të paraqes tek ky artikull kontratën që kam pasur në Teatrin e Operas së Kaiserslautern në Gjermani dhe që nuk kam shkuar, sepse preferoj të shkrij talentin tim në vendin tim.
Po mirë si t’ia bëjmë që mua më pëlqen të jetoj e të punoj në vendin tim apo edhe për këtë do të vendosësh ti se ku duhet të shkoj unë? Ti zgjodhe të rrish në Shqipëri, por edhe unë këtë zgjedhje kam bërë.
Nuk kuptoj pse gjithë kjo urrejtje, smirë, hakmarrje, persekutim, ofendim ndaj meje? Pse ky koncept enverist i të sunduarit në institucion?
Unë vetëm ligjet të tregova dhe të ftoj të zbatojmë ligjet dhe kaq.
Në vendin tim, ti drejtor dhe unë solist lirik, në vendin tim ti jeton me të folur si art të vetëm që ke, kurse unë jetoj me skenën. Nëse e quan veten si dirigjent nga më të mëdhenjtë e botës atëherë dil si dirigjent i lirë dhe shko dirigjo në Angli si Eno Koço ose në Itali si Ermir Krantja.
Kjo është logjika jote i nderuar koleg, ndërsa unë them se asnjëri nuk është i tepërt në këtë vend. Është një vend shumë zemërgjerë, me njerëz shumë të mirë, me artistë shumë të mirë që populli i nxjerr nga gjiri i vet dhe ata e bëjnë vetë zgjedhjen do të rrinë këtu apo do të ikin në një vend tjetër sipas dëshirës.
I dashur koleg, në vendin tim, ti ke marrë gjitha ato tituj, kurse mua më ndalon që të marr tituj aq sa më takon. Po mirë, edhe titulli im në dorën tënde? Nuk mendon se u bënë ca si shumë gjëra në dorën tënde?
Ti qan hallin e solistëve të huaj se mos i mbajnë taksa se gjynah të shkretët! Humane është kjo, por e paligjshme, sepse shteti nuk të lejon të paguash kesh në dorë por me rrugë bankare.
Po kur bëjmë ne shfaqje jashtë Shqipërisë pse na taksojnë dhe nuk ju vjen keq fare? Sepse ata zbatojnë ligjet e shtetit të tyre.
Ti thua që ne nga Korça i themi që edhe ne drejtorët duhet të drejtojmë një çiçkë. Po mirë, kush tha të mos drejtosh? Thjeshtë drejto sipas ligjeve.
Ti thua që ke bërë 68 premiera gjatë drejtimit tënd. Unë them që në kohën e diktaturës bëheshin 200, por njerëzit ishin skllevër. Ndaj ç’më duhen mua 200 premiera kur njerëzit i priste burgu nga dita në ditë.
Ti pretendon se do qeveria dhe të mban, sepse ke mbushur moshën për pension dhe ke mbaruar edhe mandatin e dytë.
E shikon i dashur koleg sa të mirë dhe humane e kemi ne qeverinë. Po unë pse të iki jashtë dhe të mos punoj me këtë qeveri, apo qeveritë e vendit tim.
Unë nuk dua të më quash as intelektual as nivel i ulët. Notën mua ma jep publiku dhe magjinë e shpirtit tim, duartrokitjet e publikut. Vetëm ato më shndërrojnë në skllav.
Ti thua që më ke dhënë Rigoleton. Po pse ti e vendos edhe se ç’rol do të këndoj unë? Mendoj se ky është profesioni im dhe e di mirë se cili rol më shkon e cili jo.
Ti thua kam tituj unë. Nuk di të ketë ndonjë titull “Drejtor i popullit”. Ti thua që ke qenë i persekutuar, kur gjithë jetën tënde ke qenë drejtor.
Se ku është persekutimi këtu nuk e kuptoj.
Por edhe nëse ke qenë i persekutuar, a do të thotë kjo se tani duhet të sundosh (jo të drejtosh) TOB?
Ne nuk duam kolltukun e drejtorit, ne duam skenën, skenën, skenën.
Marrëdhëniet e TOB me jashtë
Marrëdhëniet e TOB janë të njëanshme, nuk është bashkëpunim por ftesa qokash në rang drejtorësh. Unë të ftoj ty, ti më fton mua.
Për trupat, asgjë. Edhe disa rrugë të përvitshme që kishim me jashtë na u prenë për shkak të drejtimit të keq të TOB.
Drejtori i Operas e konsideron këtë institucion si pronë private.
A e dini ju të dashur lexues se e gjithë trupa e TOB ka dhënë koncert për tre doktorë kardiologë që erdhën në holl një orë me vonesë dhe të pirë?
Si është e mundur që të përdhosësh një trupë profesionistësh në koncerte bajate si p.sh. tre kardiologë spektatorë, tre gjinekologë spektatorë, tre stomatologë spektatorë? A është e moralshme kjo?
Nën pretekstin se do të financojnë për operan u bënë këto koncerte por financime nuk pamë asgjëkund. Në qoftë se TOB nuk do të funksionojë si të gjithë teatrot e botës atëherë del jashtë loje: Liceu Artistik, Akademia e arteve dega muzikë, të gjithë shkollat që merren me muzikë në këtë vend.
Taksapaguesi shqiptar paguan këto shkolla që të shijojë artistët që dalin prej tyre dhe jo të nxjerrë artistë dhe ti tregojë rrugët nga t’ia mbathin.
I dashur koleg, siç je në dijeni në na ndalojnë klanet dashakeqe që të japim kontributin tonë edhe pedagogjik. Po jua falim edhe këtë, bëhuni ju profesorë e doktorë, vetëm vendi të ecë përpara.
I dashur koleg ti thua që në asnjë Teatër Opere të botës nuk ka solistë me rrogë. Të ftoj në një udhëtim në Gjermani dhe të shikosh se si të gjithë teatrot kanë solistë me rrogë. Po ashtu edhe në Balshoj Teatër, në Austri, në Bullgari, Rumani, Maqedoni, etj…
Pra siç e shikon unë nuk shpif, nuk merrem me thashetheme. Gjithçka që them janë ngjarje dhe episode me dëshmitarë të shumtë, dhe fakte që mund të vërtetohen lehtësisht që me hetimin më të parë.
Unë do të flas sa herë që më thotë shpirti se duhet folur e duhet shkruar. Të kontribuoj sadopak që kur të marrin një post të ndjejnë përgjegjësi dhe jo të vjelin përfitime.
Këtë gjë nuk ma ndalon dot.
Tani në fund si një përmbledhje po kujtoj edhe njëherë se sa shumë përparësi dhe të drejta i kë dhënë ti vetes:
-Të përcaktosh ti se çfarë jam unë intelektual apo nivel I ulët!
-Të përcaktosh ti se ku duhet të jetoj dhe të punoj në vendin tim apo jashtë tij.
-Të vendosësh ti nëse do të behëm unë ndonjëherë drejtor apo jo!
-Të vendosësh se kur do të marri, pensionin dhe do ta shijojmë si pensionistë apo si vullnetarë!
-Të vendosësh ti se ku do të shkoj unë!
-Të vendosësh ti se kur do të zbatosh ligjin!
-Të vendosësh ti se kur do të marr tituj unë!
-Të vendosësh ti kur do të marr shpërblim unë!
-Të vendosësh ti cilin rol do të interpretoj unë!
-Të vendosësh ti sa herë do të dal unë në skenë! Të vendosësh ti se kë dashka qeveria më shumë!
-Të vendosësh që unë të jap koncerte edhe për doktorë pijanecë dhe të pres sat ë mbarojnë verën në 15 katëshi.
-Ti duhet të vendosh se kujt do t’i mbash TVSH dhe kujt jo!
-Të ndalosh t’i trupën që të japë shfaqje nëpër botë.
-Të vendos se kujt t’ia shkruash emrin me shkronja të mëdha dhe kë ta fundosësh fare.
-Ti vendos që mos ta mbash në zyrën tënde fotografinë e presidentit, që e ke detyrim ligjor.
-Ti vendos që në festat fetare ta bësh ditë pune.
-Ti vendos kalendarin e TOB.
-Ti po zëvendëson: Drejtorin artistik, dirigjentin, skenografin, kostumografin..
-Lus që të bëhesh edhe solist që të na çlodhësh pak.
-Ti vendos se kujt do t’ia bësh përvjetorët në TOB!
-Ti vendos se kur e bën fijen tra e kur e bën traun fije.
Të gjithë artistëve dhe Vitorio Parisit Gëzuar Vitin e Ri!
Replika e parë, e botuar në 1 dhjetor
Në replikën e parë të botuar po nga kjo gazetë, më 1 dhjetor 2011, Ylber Gjini akuzonte Ciko për metoda të errëta në drejtimin e Operas. "TKOB ka nevojë për një drejtim bashkëkohor evropian, por me drejtues të pastër, pa komplekse meritokrate dhe jo pseudoartistë që zanatin më të mirë kanë servilizmin ndaj pushtetit."- shkruan ai në shkrimin e datës 1 dhjetor. Sipas tij "strategjia e dështuar e Zhani Cikos ka dëmtuar shumë frymën demokratike në TKOB, se artisët kanë frikë të shprehin mendimin e tyre hapur dhe pa ndrojtje. Ka vendosur në TOB parrulla të ndryshme ku ndalohet çdo informacion financiar. Ka një terr informativ për shpenzimet në TKOB."
Në reagimin e tij të menjëhershëm, më 2 dhjetor, Drejtori i TKOB, thotë se është një shpifje, duhma e të cilës do të largohet shpejt, edhe pse parashikon se të tjerë emra do të shfaqen në këtë sulm. Ciko deklaronte se është i bindur se është një sulm i organizuar që nis nga libri i Edi Ramës, ku artikulohet akuza për rolin, që sipas 'libërshkruesit' ka pasur Ciko në dënimin e Lukë Kaçajt.