Toçi: Kokëdhima u vetëlargua 
vendimi i Kryesisë, i vonua

Toçi: Kokëdhima u vetëlargua <br />vendimi i Kryesisë, i vonua
Deputeti që kundërshtoi i pari veprimet arbitrare të Koço Kokëdhimës gjatë drejtimit të PS-së në jug, Fatmir Toçi, komenton arsyet që e detyruan kryesinë e Partisë Socialiste të marrë vendimin e përjashtimit.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Toçi shprehet se Kokëdhima nuk ka më asnjë arsye të bëjë rezistencë, por duhet tu bindet pasojave të veprimeve të tij. deputeti i Vlorës kërkon që pas këtij vendimi, të nisë një verifikim i emërimeve të Kokëdhimës në Jug si drejtues politik, sepse sipas tij, ka vendime të bazuara në interesa personale.
 
Kryesia e PS-së ka propozuar të hënën shkarkimin e Koço Kokëdhimës nga posti i Sekretarit për Emigracionin dhe Reformën Strukturore. Keni dijeni mbi arsyet apo motivacionin mbi të cilat mbështetet kjo kërkesë? 
Besoj se nuk ka vend për t’u çuditur për këtë propozim, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit z. Kokëdhima me motivacionin që tashmë është bërë publik, por edhe pas qëndrimeve dhe veprimeve të tij pa sens në emër të PS, jashtë programit dhe pa qenë i autorizuar nga kjo forcë politike, duke krijuar një rrymë dhe lëvizje paralele me atë të PS në Qarkun e Vlorës dhe drejtuesve të saj, një pjesë të të cilëve i ka emëruar ai vetë. Nga ana tjetër, me sa jam i informuar, ai nuk ka marrë pjesë në asnjë prej mbledhjeve të kryesisë dhe sekretariatit të PS prej një periudhë disa mujore dhe Statuti i PS ka përcaktuar norma të qarta në të tilla raste. Gjithsesi, duke parë aktivitetin e tij me axhendë politike personale dhe në mospërputhje më Statutin e PS dhe vendimet e udhëzimet e institucioneve vendimmarrëse të saj mua kjo masë më duket e vonuar dhe duhej të ishte marrë shumë kohë më parë. Por më mirë vonë se kurrë, duke parë dëmin e madh organizativ e politik që është bërë në strukturat tona në qarkun e Vlorës, dhe deri diku edhe në atë të Gjirokastrës, në këto tre vjetët e fundit kur drejtues politik ishte z. Kokëdhima.
 
Pavarësisht propozimit të kryesisë, Kokëdhima është shprehur se askush nuk mund ta largojë atë nga Partia Socialiste, pasi PS nuk është pronë e disa njerëzve. Si i komentoni këto deklarata?
PS nuk ka asnjë qëllim të largojë njeri nga radhët e saj. Përkundrazi qëllimi i partisë sonë është të shtojë anëtarësinë e saj, sikundërse ka bërë deri më sot. Por, anëtar i Partisë Socialiste është ai që zbaton Kushtetutën tonë të përbashkët: Statutin e Partisë, detyrat dhe udhëzimet e instancave vendimmarrësve. Me veprimet dhe idetë e tij, z. Kokëdhima po vetëlargohet nga PS.
 
A ka ndonjë mundësi që Asambleja të mos e pranojë këtë propozim të Asamblesë?
Sipas gjykimit tim, propozimi i kryesisë nuk ka nevojë fare të kalojë për votimin në Asamblenë Kombëtare të PS. Një pjesë e madhe e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, përfshi këtu të gjithë deputetët, sipas Statutit të PS janë anëtarë të saj për shkak të funksionit që kryejnë si të zgjedhur. Në momentin që për shkaqe të ndryshme e humbin këtë funksion, ata nuk mund të jenë më anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe as me funksione të tjera në Sekretariat apo kryesinë e PS. Përjashtohen rastet kur kryesia i propozon Asamblesë për të kooptuar persona të veçantë, vlerësimi dhe kontributi i të cilëve është i nevojshëm apo i domosdoshëm për Asamblenë apo struktura të tjera. Po disa e konsiderojnë z. Kokëdhima anëtar të Asamblesë Kombëtare nisur nga një votim i parregullt dhe antistatutor në Vlorë për të zgjedhur delegatët e Kongresit, ku ai, atëherë akoma deputet, i bindur në vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, e futi veten në krye të listës që do të votohej për të sjellë para opinionit alibinë se ishte zgjedhur nga Vlora. Kjo shaka groteske që u përcoll me humor në të gjithë vendin, e vuri në pozitë të vështirë PS e Vlorës para anëtarësisë së partisë dhe opinionit publik.    
 
Pse z. Çipa është vlerësuar si personi që mund ta zëvendësojë Kokëdhimën? 
Z. Çipa është një kuadër me përvojë dhe aftësi të rralla për PS dhe gjithë vendin. Në detyrat që ai është zgjedhur dhe ka marrë përsipër, si deputet, ministër, kryetar i bashkisë së Sarandës etj., rezultatet dhe performanca e tij kanë qenë të admirueshme. Dhe mbi të gjitha përkushtimi, ndershmëria dhe seriozitetit për të kryer detyrat e ngarkuara. Nga ana tjetër, veç pjekurisë politike e aftësive organizative, z. Çipa ka lidhje e marrëdhënie shumë të ngushta e të vazhdueshme me shqiptarët në emigracion.
 
Prej disa ditësh, ish deputeti po kryen disa takime në Vlorë dhe Himarë për lëvizjen e tij paralele. Si kanë reaguar strukturat socialiste ndaj tij? 
Takimet që po organizon z. Kokëdhima nuk kanë asgjë të përbashkët me lëvizjen, axhendën dhe programin e PS. Ajo, që në fillimet e saj është ideuar si një lëvizje paralele me qëllime të caktuara që koha dhe veprimet e tij të ethshme po i vërtetojnë ato që ne kemi ngritur si shqetësime brenda strukturave, që kur kemi konstatuar papërputhshmëri me Statutin dhe orientimet nga lart, por edhe publikisht kur pamë që shkeljet dhe zullumi po bëhej një rrezik real për PS e qarkut të Vlorës. Drejtuesit e PS në Qarkun e Vlorës, si ato të organizatave të Sarandës, Vlorës, deputetë e kuadro të tjerë drejtues janë shprehur publikisht dhe e kanë bërë të qartë se këto lëvizje nuk kanë të bëjnë me PS, me programin e saj politik dhe axhendën e përbashkët. Dua të ritheksoj ato që i kam prehur para pak ditësh në lidhje me takime të tilla: nuk është e ndaluar dhe as e dënueshme që kushdo të organizojë takime, mbledhje, konferenca, tubime e të tjera si këto për çfarë ai mendon për probleme të ndryshme apo interesat e tij. Ne jetojmë në një shoqëri të hapur e demokratike dhe përpjekjet duhet të jenë që kjo demokraci të jetë sa më funksionale. Por askush nuk ka të drejtë, madje është e dënueshme edhe ligjërisht që të abuzohet duke përdorur emrin, imazhin  e simbolet e një force politike apo çfarëdo institucioni tjetër. Raste të tilla janë mashtrime publike për interesa të caktuara dhe PS nuk ka si të qëndrojë indiferente përballë fenomeneve të tilla.
 
Se fundmi, do të ketë masa ndaj bazës socialiste që ndjek takimet e Kokëdhimës?
Së pari, unë nuk po shoh në takimet e Kokëdhimës ndonjë ndjekje mbresëlënëse nga socialistët e vërtetë. Është normale që atje të këtë të pakënaqur për mosplotësimin e interesave personale, të punësuar nga z. Kokëdhima kur ai bënte politikat e punësimit në Jug sipas njohjeve e interesave të tij, nga ata të mbajtur nën presion gjithë këtë periudhë nga persona që kanë folur e vepruar në mënyrë joligjore në emër të tij, madje edhe opozitarë që s’kanë të bëjnë fare me PS. E ritheksoj se nuk është as e ndaluar e as për të paragjykuar se kush merr pjesë në to për të dëgjuar, gjykuar e reflektuar për sa flitet e debatohet. Ajo që nuk kuptoj është angazhimi aktiv për organizimin e këtij takimi i ndonjë të zgjedhuri në strukturat e PS në Vlorë e Asamblenë Kombëtare. Gjithsesi, në respekt të mendimit të lirë të çdokujt as që mund të shtrohet pyetja për masa ndaj bazës socialiste që ndjek takimet e Kokëdhimës; por, e kam kërkuar edhe herë tjetër se nuk duhen që të anashkalohet verifikimi i përputhshmërisë me kriteret ligjore të emërimeve që janë bërë në kohën kur z. Kokëdhima vërtiste nëpër duar spektrin në të gjithë Jugun e vendit dhe jo vetëm.  
 
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë