Tokat e shtetit, qeveria: Ulje
kush blen me para në dorë

Tokat e shtetit, qeveria: Ulje<br />kush blen me para në dorë
TIRANË – Shtyhet afati për privatizimin e trojeve shtetërore ku individët mund të kenë ndërtuar pas vitit 1991 apo kanë blerë vetëm godinën e një ish-ndërmarrjeje dhe tani duan të blejnë dhe tokën. Me vendimin e djeshëm qeveria ndryshon ligjin “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij” ku përcaktohen saktë datat dhe kushtet e pagesës për të interesuarit. Ndryshimi i parë në ligj konsiston në saktësimin e pikave të zbatimit të ligjit dhe saktësisht me pjesën që lidhet me ndërtimet e pas ’90-s. Ky ligj do të zbatohet edhe për “trojet e paprivatizuara, mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa, në bazë të lejeve të ndërtimit të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore, pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, sipas genplaneve në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit, si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore, shitja e të cilave është realizuar nga ish-kooperativat bujqësore apo organet e qeverisjes vendore”.

AFATET
Qeveria ka adoptuar edhe një herë praktikën e “ofertës me skontim” për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve të interesuar për të blerë truallin shtetëror, por edhe për të mbledhur menjëherë ca para në arkë. Kështu, për të gjithë ata që brenda datës 1 korrik 2012 do të bëjnë një kërkesë me shkrim për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit që kërkohet të privatizohet dhe pagesa do të realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizim për kalim pronësie, trualli do të ketë çmim më të lirë. Këta qytetarë do të përfitojnë ulje 20 për qind të vlerës së truallit dhe u lihet si opsion pagesa me bono privatizimi e 20 për qind të vlerës së mbetur. Për ata që kërkesën për pagesë të menjëhershme e bëjnë pas datës 1 korrik 2012 me një kërkesë me shkrim dhe pagesa kryhet brenda 30 ditësh nga pajisja me autorizim për kalim pronësie trualli, përfitimi është vetëm ulja me 20 për qind e vlerës së truallit, por përjashtohet opsioni i përdorimit të bonove të privatizimit. Për të gjithë qytetarët që do të duan të privatizojnë një truall shtetëror, por që kërkesën do ta bëjnë pas datës 31 dhjetor 2012, nuk do të aplikohet një përjashtim i tillë si përsa i përket skontimit të çmimit, ashtu edhe përdorimit të bonove të privatizimit. Qeveria në ligj ka ndryshuar kushtet edhe për ata që kishin paraqitur kërkesat për privatizim sipas afateve të mëparshme. Të gjithë ata që do të duan të bëjnë tani pagesën e menjëhershme me para në dorë, përfitojnë nga përjashtimet e saktësuara në ligj.
(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat