Raportimi i KLSH përplasi PD me PS në Kuvend, ku opozita hodhi akuza se në raport flitet për 900 milionë euro të vjedhura nga qeveria në dy vite. Deputeti Flamur Noka hodhi edhe akuza ndaj ministrit Toni Gogu duke thënë se  “pastori ka misionin e tij në librat e shenjtë, të ndalojë djallin duke tundur temjanin, por nuk ka padrejtësi më të madhe se kur pastori kthen temjanin nga djalli”.

Por, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin iu përgjigj duke i kujtuar Nokës akuzat që ka bërë ndaj tij Gazment Bardhi për vilën 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit. Gogu i tha Nokës se ka detyrimin që të sqarohet në Kuvend mbi akuzat për vilat.

“I dashur Flamur, jam ulur këtu si shërbëtor i Republikës i zgjedhur nga kuvendi dhe i dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe jam Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, dhe ndaj rri dëgjoj edhe pavërtetësira, e them pavërtetësira me delikatesë se në fakt janë gënjeshtra kokë e këmbë. E dyta, e shikoj që ti je intriguar për standardin e jetesës time, megjithatë të ftoj të më ndjekësh nga mbrapa dhe të shikosh se si i jetoj unë bindjet e mia.

Detyrën time e çmon ti patjetër, por bindjet e mia, të ftoj që t’i shikosh, të vish nga mbrapa.  Për sa i përket akuzave personale, të lutem, kësaj salle ti i detyrohesh një përgjigje ndaj një akuze që ta ka bërë shoku i bankës për disa vila të bëra me veprimtari të paligjshme, dhe kam përshtypjen që duhet të jenë në ndonjë organ ligjor. Se më duket se i çoi dhe atje.

Pra, ju keni thënë kaq shumë gjëra për njëri-tjetrin dhe keni lozur, kështu si quhet ajo loja me top, kur gjuhet me top me të pavërteta me njëri-tjetrin, sa që çfarëdo lloj gjëje që ju thoni është kaq e tmerrshme dhe ju kujtoni se populli rri në televizor t’ju dëgjojë gënjeshtrat tuaja. Populli është në punë bashkë me ministrat", tha Gogu. 

Gogu ka sjellë në kujtesë një akuzë që Bardhi bëri ndaj Nokës në vitin 2022, kur kishte nisur edhe përplasja brenda PD-së. Bardhi fillimisht pati hedhur akuza për kolegët e tij se Rama i mban peng me një vilë 760 mijë euro te Gjiri i Lalzit, ndërsa më pas Report Tv zbuloi se vila ishte në pronësi të një biznesmeni, ndërsa Noka kalonte aty pushimet.


Lajmi kryesor:

KLSH në Kuvend: 159 auditime në 2024, nën 'lupë' Bankers e aksi Thumanë-Kashar! PD: Ministrat të japin llogari! Braçe: Shkrini FSDKSH