TIRANE - 3 ligjet presin votën e opozitës dhe do të vazhdojnë të jenë në rend të ditës në çdo seancë plenare, derisa opozita të vendosë të japë kontributin e saj si detyrim ndaj popullit që e ka votuar. Miratimi i 3 ligjeve nuk bëhet për qeverinë, por për qytetarët shqiptar dhe për projektin e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian.

Kështu është shprehur Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ditën e sotme në një takim që pati me senatorin Rene Van Der Linden, ish-President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe ish-President i Senatit të Hollandës.

Kryetarja e Kuvendit tha se arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe janë njohur e vlerësuar nga BE-ja dhe janë reflektuar edhe në raportin e Komisioni Evropian, ku rekomandohet edhe statusi i vendit kandidat, pas miratimit të tre ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament.

Nga ana e tij Zoti Van der Linden theksoi se mbështet dhe inkurajon hapat e Shqipërisë drejt antarësimit në BE.

Topalli tha se bashkëpunimi ndërparlamentar, si bashkëpunim mes përfaqësuesve të zgjedhur direkt nga qytetarët, është shumë i rëndësishëm dhe konkret në afrimin mes vendeve.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)