TIRANE - Vetëm një ditë pasi qeveria kishte miratuar dhënien e 2 mijë lekëve për fundviti për pensionistët, pasi ka dhënë dhe nga 10 mijë lekë për buxhetorët dhe pasi u ka prerë "riskun" të gjitha bashkive dhe komunave socialiste, personave që jetojnë me ndihmë ekonomike dhe invalidëve që kanë muaj të tërë pa u paguar, mbrëmë më në fund është parë pak dritë në fund të 'tunelit' kuvendor, teksa kryeparlamentarja Topalli ka sajdisur ligjvënësit në një festë fundviti, që megjithëse modeste, kishte goxha shpenzime.

Kështu, pas një lodhje të gjatë prej rreth 8 orë debatesh në seancën e djeshme plenare, deputetët e mazhorancës i priti një darkë e këndshme dhe shplodhëse në ambientet e Hotel Tiranës, në kryeqytet. Një darkë, kjo e organizuar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Edhe pse të gjithë deputetët, përfshirë këtu edhe ata të opozitës si dhe ata të pavaruarit në Parlament kishin marrë ftesë në letër ose ishin njoftuar me telefona për këtë darkë, u vu re mungesa e ligjvënësve socialistë.

Ndërsa nga shumica e deputetëve të mazhorancës, darka e djeshme u cilësua si modeste. Edhe nga mazhoranca nuk u panë që të ishin të gjithë deputetët e pranishëm.

Rreth orës 19:50 në ambientet e hotel Tiranës u vu re ardhja e disa deputetëve të djathtë, mes tyre dhe kryeparlamentarja Topalli si dhe emra të tjerë. Që në hyrje të ambientit të rezervuar për këtë darkë, ishin në shërbim të ligjvënësve kamarierë që shërbenin verë të bardhë dhe shampanjë. Edhe pse darka zgjati rreth dy orë, disa prej të djathtëve u larguan brenda pak minutave. Ajo që ishte interesante, ishte fakti se deputetët ishin të pashoqëruar me bashkëshortët ose bashkëshortet e tyre. Mjaftuan vetëm 40 minuta për deputetin Mark Marku, i cili ishte dhe i pari që u largua nga darka. Pas pesë minutash largohet dhe deputeti Ilir Rusmajli dhe pas tij Selami Xhepa ,Viktor Gumi dhe vetë ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.  Në darkën e shtruar nga Topalli u vu re dhe mungesa e deputetëve të LSI si dhe ajo e deputetit Gazmend Oketa, i cili tha se nuk do të merrte pjesë. Mungoi dhe Dule i PBDNJ-se.

BERISHA BOJKOTON DARKËN E TOPALLIT

Nga burime të sigurta u mësua se deri pak minuta para se të fillonte darka e organizuar nga Kuvendi, kreu i qeverisë kishte lajmëruar se do të ishte i pranishëm. Por për asnjë minutë ai nuk u pa të merrte pjesë, qoftë dhe për urim, me deputetët e partisë së tij. Madje sipas burimeve mësohet se deri rreth orës 21:00 ai ishte në zyrën e tij, në Kryeministri. Nuk dihen arsyet e mosmarrjes pjesë në këtë mbërëmje.

MENYJA

Mësohet se menyja e përdorur në darkën e ligjvënësve, ishte e thjeshtë dhe tradicionale. Si fillim ata trokitën me njeri tjetrin gotat me verë ose shampanjë sipas preferencave, më pas iu shërbye një antipastë e thjeshtë. Pjata e dytë kishte të përfshirë mish dhe në fund ëmbëlsira. Sipas disa deputetëve, rezervizmi për secilin prej tyre nuk i kalonte shifrat që u lakuan nga opozita, 100 dollarë për person. "Nuk kishte as tortë me kate dhe as ekzagejrime të tepruara, që mund të kishin shpenzime të mëdha", thonë disa deputetë.

VESHJA
Kur pritej që të gjithë të shkëlqenin në këtë darkë, me rastin e funvitit, faktikisht nuk ndodhi kjo gjë. Gratë demokrate u panë që hynë në darkën e shtruar me po të njëjat veshje që ishin edhe gjatë seancës plenare. Lajla Përnaska, dukej më pak e "lodhura" nga kolegetet e saj, ku të binte në sy veshja tepër elegante. Ndërkohë që e vetmja që dukej sikur i priste me më shumë gëzim festat e fundiviti ishte deputetja Mesila Doda, e cila kishte veshur një fustan të kuq. Edhe pse më të njëtin fustan që kishte gjatë drejtimit të seancës parlamentare Topalli, mbante ende fustanin ngjyrë jeshile. Rajmonda Bulku dukej elegante me një kostum të zi ashtu sikurse dhe ministrja Bregu.

APELI I BALLES

Deputeti socialist Taulant Balla akuzoi kryeparlementaren se po shpërdoron lekë me darka ndërkohë që ai propozoi që këto lekë t`i jepeshin për azile dhe familjet në nevojë. "Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka njoftuar të gjithë deputetët sot për një darkë luksoze në Hotel Tirana. Një darkë ku pjatat do jenë me dhjetra, vera do derdhet lumë dhe torta do jetë me kate. Rreth 100 dollarë personi është rezervimi i zonjës Jozefinë. E turpshme se si kjo zonjë ka humbur çdo lloj ndjesie dhe morali, duke vazhduar të harxhojë pafund miliona lekë për fluturime, dreka, darka edhe dhurata. Sot në Kuvendin e Shqipërisë i kërkova zonjës Topalli të anullojë këtë darkë luksoze për deputetët me paratë e popullit. Këto para të shkojnë për ndonjë jetimore apo azil. I bëra thirrje të gjithë deputetëve të mos bëhen pjesë e kësaj darke shpërdoruese", tha ai.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)