Eshtë 16 maj. Për 10 ditë vjen 16 – vjetori i 26 majit të famshëm, procesit më të diskretituar të votimit në Shqipëri. Përveç kësaj ishte dhe dita e parë e shkatërrimit të votës së lirë dhe besimit në procesin zgjedhor. 16 vjet më pas sëmundja nuk është shëruar, reforma zgjedhore ka ngecur dhe dyshimet mbi administrimin e procesit zgjedhor nga Berisha janë po ato. Bllokimi i fundit i komisionit parlamentar të reformës zgjedhore është më i vështiri. Edhe sikur komisioni të kishte kohë më shumë se ora 24.00 e ditës së martë, nuk do të mund ta zgjidhte. Janë të gjitha kushtet që të mos ketë zgjidhje deri në datën 24, që është përcaktuar si afati i fundi për reformën zgjedhore edhe nga Brukseli. Fyle e rikujtoi dje. Por nuk duket se ka për të patur zgjidhje. Opozita kërkon që PD të lërë kontrollin mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në favor të një institucioni të ekuilibruar, por, kjo nuk mund të pranohet nga Berisha. Opozita kërkon akses të plotë për hetimin e kutive të votimit në rastin e dyshimit nga kushdo palë, por as kjo nuk mund të pranohet nga Berisha. Jo vetëm se alergjia e kryeministrit ndaj proceseve transparente dhe të lira është e pashërueshme. Berisha, ashtu si në refuzimin dyvjeçar për hapjen e kutive, kërkont’i japë garanci “ushtrisë” elektorale që nuk do të preken. T’i japë garanci në radhë të parë Ristanit që nuk do të pushohet pas veprës së 8 majit e tutje, t’u japë garanci ushtarëve të vegjël që mund të kryejnë adetet në qendrat e votimit pa pësuar gjë. Ndaj dhe ishte kundër dënimit maksimal për prishësit e procesit zgjedhor. Por jo vetëm kaq. Këtyrë dy pikave u shtohet edhe përdorimi i teknologjisë gjatë procesit të votimit dhe të numërimit. ODIHR-i ndërhyri në proces dhe ndoshta përvoja në disa vende perëndimore i jep të drejtë. Procesi elektronik nuk ka qenë efikas dhe ende nuk jep garanci. Qëndrimi i ODIHR-it nuk është pritur mirë nga opozita, por nuk mund të quhet i njëanshëm. Kësaj pike i shtohet edhe ndryshimi i sistemit ose futja e korrektimit kombëtar në sistemin aktual, kërkuar nga partitë e vogla dhe firmosur edhe nga partitë e mëdha. Bëhen 4 pika vendimtare për të hapur rrugën drejt suksesist të reformës zgjedhore. Në ditën e fundit nuk mund të zgjidhej asnjëra, në 8 ditët e ardhshme, deri në datë 24 maj nuk mund të zgjidhen të gjitha.
Berisha do ta bllokojë reformën, jo vetëm se bie ndesh me parimet e tij për një proces zgjedhor të manipulueshëm, por edhe se kërkesa për mbylljen e reformës përpara datës 24 vjen nga opozita dhe nga ndërkombëtarët. Të dy këta faktorë kanë patur parasysh që hyrja në zgjedhjen e presidentit të mos bëhet në kushte kërcënuese. Kjo do të thotë që me kodin zgjedhor të pandryshuar, asnjë nga partitë e opozitës, por edhe LSI e maxhorancës nuk duan të bëjnë zgjedhje. Me ndryshimin e kodit këto forca do të jenë të gatshme për zgjedhje, qofshin ato edhe të parakohshme, qofshin edhe në shtator nëse dështon zgjedhja e presidentit. Pra realizimi i reformës zgjedhore përpara zgjedhjes së presidentit e kërcënon Berishën në ambicien për ta zgjedhur presidentin me 71 vota nga maxhoranca. Këtë ambicie e ka kundërshtuar LSI me 4 vota dhe pa ato vota, Jozefina Topalli nuk mund ta lërë PD-në për t’u ngjitur në krye të Shtetit. Por nëse LSI do të gjendej përballë kërcënimit të zgjedhjeve të parakohshme me kodin zgjedhor të pandryshuar, ndoshta në votimin e pestë do të ndryshnte mendje dhe do të detyrohej të shmangte zgjedhjet duke votuar Topallin. Edhe PS, me kodin e vjetër, ndoshta nuk do të ishte e gatshme për zgjedhje të parakohshme në kushtet e mosrealizimit të kërkesës së saj për president konsensual. Kjo është arsyeja kryesore që e bën Berishën të bllokojë reformën zgjedhore dhe të akuzojë opozitën për bllokim. Ky është një skenar i njohur. Por nuk garanton që pas zgjedhjes së presidentit maxhoranca do të pranojë propozimet e opozitës. E vetmja garanci është që PD do të ketë një propozim alternativ dhe nuk do të shkojë në komision, si sot, pa propozime, vetëm me refuzime. Nëse Rama dhe Meta kanë diskutuar për këtë skemë gjatë darkës, ndoshta do të dinë si t’i përgjigjen, ndryshe Berisha do të hyjë në 24 korrik në një proces negativ për fatet e vendit, por të kuruar shumë mirë për fatin e tij politik. Kush mund të mbrojë fatet e mëdha nëse nuk e bën opozita? Ndoshta një darkë nuk mjafton.

(aq/shqiptarja.com)