“Si e zgjidh Ministria e Jashtme konfliktin mes Kryeministrit dhe Presidentit, kush prej të dyve do të shkojë në OKB? Unë kam parë delegacione skandaloze ku kryeministri dhe presidenti ishin në të njëjtin delegacion dhe përplaseshin me njëri-tjetrin. Të dy nuk lejohet të shkojnë. Si e zgjidhni ju?”-pyeti Topalli. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qirjako Qirko, tha se nuk ka zgjidhje ligjore për këtë çështje, veçse me marrëveshje mes palëve.
“Nuk ka një zgjidhje të qartë ligjore. Deri më tani çështja është zgjidhur me mirëkuptim mes personave në fjalë, ku një vit ka shkuar njëri, e një vit tjetri. Nuk ka një përcaktim ligjor, e vetmja zgjidhje është një marrëveshje xhentëlmenësh.”-tha Qirko. I pyetur se si do të veprohet në rast se kërkojnë të dy të shkojnë në OKB, Qirko tha se kreu i shtetit ka përparësi pasi është figura më e lartë shtetërore, por në këtë pikë, Topalli tha se ne jemi një republikë parlamentare, ku kryeministri është në rolin e kancelarit. Në këtë debat ndërhyri kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, e cila tha se kjo përplasje ka qenë historike në vendin tonë, duke dhënë dhe shembuj të tjerë.
“Ka pasur raste dhe në vendin tonë, kur shkonte edhe Moisiu edhe Nano. E Taulanti detyrohej të ndryshonte dhe vendet në protokoll, po lërë tani”-tha Dade. Pjesë e debatit në vijim të diskutimit të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare u bënë dhe kompetencat e kryebashkiakëve të rinj për të nënshkruar marrëveshje me institucione të huaja. “Deri ku lejohen kryebashkiakët që të nënshkruajë marrëveshje me të huaj? Pyes sepse unë kam shumë frikë nga kryebashkiakët. Më duken krejtësisht të papërgjegjshëm”-tha Topalli. Në përgjigje të këtij shqetësimi, përfaqësuesit e ministrisë së jashtme, thanë se për çdo rast, kryebashkiakët do të duhet të marrin mendim nga kjo ministri para nënshkrimit të marrëveshjeve me palë të huaja. “Në çdo rast, paraprakisht do të merret mendimi politik i ministrisë sonë para se marrëveshja mund të nënshkruhet.
Ne nuk i hyjmë thelbit të marrëveshjes, por politikisht japim verdiktin nëse marrëdhëniet e shtetit shqiptar me palën tjetër janë në nivelin e duhur që justifikojnë marrëveshjen. Sa u takon marrëveshjeve financiare, ato zgjidhen me ligjin për huamarrjen. As në këtë rast ne nuk hyjmë të analizojmë termat teknikë të saj, por vetëm nivelin politik të saj”-tha Drejtori i Drejtorisë së Traktateve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Armando Skapi. Në përfundim, komisionin shqyrtoi nen për nen ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. Skapi tha se: “Ky ligj ka kaluar në një proces konsultimi me këshilltarët ligjor të Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend, dhe janë bërë ndërhyrje në disa nene të ligjit”. Pas diskutimeve komisioni u shpreh dakord për kalimin e tij në seancë plenare.
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)