TIRANË - Presidenti Bamir Topi ka pritur në një takim kongresmenin e SHBA-së Stiv Çebot, takim në të cilin ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
“Ne e konsiderojmë përkrahjen e vendit të vlerave të demokracisë më të madhe në botë një nder, inkurajim e përgjegjësi, për vazhdimësinë e reformave drejt demokratizimit të plotë e funksional të Shqipërisë”, është shprehur Topi, duke u ndalur në veçanti në ndihmesën e gjithanshme amerikane për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Presidenti ka bërë një panoramë të zhvillimeve politike në vend, duke ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional të klasës politike shqiptare, si element i domosdoshëm i demokracisë dhenjë parakusht për realizimin e reformave dhe proceseve integruese.
Nga ana e tij, kongresmeni Stiv Çebot ka vënë në dukje ndihmën e Shqipërisë në misionet për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Irak e në Afganistan. Çebot ka theksuar rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të demokracisë, të funksionimit normal të institucioneve të pavarura dhe domosdoshmërinë e kryerjes së reformave të nevojshme në Shqipëri.

(aq/shqiptarja.com)