VLORË - Fryma e Re Demokratike është ndalur sot në qytetin bregdetar të Vlorës ku ka zhvilluar një takim me qytetarët në kuadër të hapjes së fushatës dhe prezantimit të kandidatëve për deputetë. Listën e FRD për qarkun Vlorë e kryesojnë Daut Gumeni dhe Edlira Gjoni.

Kreu i FRD Topi tha se shqiptarët sot nuk duhet të zgjedhin të keqen më të vogël, por ata kanë nevojë të kthjellohen për të zgjedhur opsionin më të mirë, që mendon për interesat e tyre dhe jo karriget e pushtetarëve, ky opsion egziston në FRD.

Topi seancën e djeshme e quajti një turp për politikën shqiptare duke theksuar se  parlamenti dështoi me integrimin. Ata shtoi kryetari i FRD nuk bëjnë zgjedhje të lira, kjo e mban peng integrimin. Duke iu referuar krizës urbane të ndërtimeve në bregdet kryetari i FRD akuzoi se bregdeti i jugut ka mbetur peng i politikave klienteliste të qeverisë e investimet bëhen aty ku janë interesat e pushtetit.

FRD u shpreh Topi do të përfaqësohet në parlament dhe qeveri me një grup që do punojë për interesat e qytetarëve, do të jetë avokate e qytetarisë dhe të djathtës në politikë. Ai akuzoi lidershipin e PD që sipas tij tradhëtoi kauzën e së djathtës dhe demokratët e 91-shit duke e përfunduar legjsilaturën me deputetë të majtë.

“Merrni pjesë në votim,parlamenti shqiptar ka nevojë të ekuilibrohet dhe jo të mbetet peng i politikës së vjetër, mbështesni FRD, politkën e re te komunkimit,votoni 66”, tha Topi. Për të cilin FRD do të jetë përcaktuese në qeverisjen e ardhshme.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)