Topi: Berishën do e çonte para
drejtësisë prokurori më i rëndomtë

Topi: Berishën do e çonte para<br />drejtësisë prokurori më i rëndomtë
TIRANË - Ish-Presidenti i Republikës, aktualisht kryetar i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, bën përgjegjës për ngjarjet e 21 janarit 2011, ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjatë një interviste për emisionin “Zona e Debatit” të gazetarit Baton Haxhiu në “Klan Kosova”, Topi shprehet se deklaratat kontradiktore të Berishës lidhur me vrasjet e 5 viteve më parë, do të përbënin prova të mjaftueshme edhe për prokurorin më me pak përvojë, për ta çuar atë përpara drejtësisë.

“Të gjitha ato akuza nxjerrin sot Sali Berishën njeriun më të akuzuar përpara drejtësisë. Qoftë edhe një prokuror i rëndomtë, pa pasur ndonjë përvojë, duke paraqitur faktet nga ana e tij në sens kronologjik, do të shihnin mjaft kontradiksione që për profesionin e tyre konsiderohet fajtor”, u shpreh Topi. Kryetari i FRD kujton se krisja e tij me Berishën ndodhi për shkak të termave të një deklarate të tij gjatë konferencës për shtyp, mesditën e 21 janarit, kur në Bulevardin qendror të Tiranës ishin vrarë me armë zjarri 4 protestues të opozitës të atëhershme.

“Në datën 21 janar, unë kam dalë me një deklaratë në drekë dhe mesa duket ajo deklaratë e ka shqetësuar shumë z.Berisha, sepse fola për “ngjarje në bulevard” dhe mesa duket atij i interesonte që të flisja për ngjarje në Kryeministri”, tha ai. Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, Topi vazhdon t’i cilësojë të gabuara, por ai thekson edhe një detaj tjetër. Sipas tij, kredibiliteti i qeverisë “Berisha” ra ndjeshëm pas shpërthimit në Gërdec, ndërsa marrëveshja me Ramën në natën e 21 prillit, i dha atij oksigjen. “Fill pas kësaj vjen një akord, akordi midis Berishës dhe Ramës që solli ndryshimet Kushtetuese të 21 prillit 2008.

Pra, nga 15 marsi 2008, deri në 21 prill 2008, aty ku mendohej se kredibiliteti i qeverisë “Berisha” ra në fund për shkak të tragjedisë së “Gërdecit”, pikërisht e fuqizon, i jep oksigjen, jo thjesht një figure politike, por rikthen të fuqishëm mbi bazën e ndryshimeve të cilat rrënuan raportet midis institucioneve dhe ulën në mënyrë të dukshme, atë indeksin e demokracisë në Shqipëri”. Ish nënkryetari i Partisë Demokratike theksoi edhe njëherë tjetër skepticizmin e tij për reformën në sistemin e drejtësisë, duke u shprehur se aktorët e saj janë protagonistët e 21 janarit 2011. “Pjesa kryesore e këtyre, sot janë protagonistët e reformës në sistemin e drejtësisë.

T’i marrim me radhë, qoftë edhe ai që ka dalë nga radhët e Partisë Demokratike, Ilir Rusmali. U mor si ekspert i qeverisë. Ky është një paradoks dhe çudi e madhe. Enkelejd Alibeajn e ke atje. Eduard Halimin e ke atje. Kush na jep ne garanci se do të kemi një reformim real të sistemit të drejtësisë, kur njerëz që kanë suportuar padrejtësitë e një pushteti që vrau 4 njerëz në bulevardin e Tiranës, janë sot njerëzit që do të japin opinione sesi do të jetë drejtësia nesër”, tha Topi. Kryetari i FRD deklaroi gjithashtu se apeli i tij është dhe mbetet një: të bëhet drejtësi për ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011. Gjithashtu, gjatë intervistës në “Klan Kosova”, Topi u shpreh se në kushtet aktuale në Shqipëri është i domosdoshëm korrektimi kombëtar i sistemit zgjedhor dhe depolitizimi i administratës ë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
Kriza në Kosovë, Topi: Mos bini në kurthin e atyre që luftojnë pavarësinë 
Kryetari i partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi, i bën thirrje klasës politike në Kosovë që të dialogojë për çështje me interes kombëtar. Gjatë intervistës në “Klan Kosova”, Topi komentoi edhe situatën politike në Kosovë duke përcjellë një mesazh publik se aktorët politik atje, por edhe qytetarët shqiptarë të Kosovës, nuk duhet të bien në kurthin e qarqeve që e kanë luftuar dhe e luftojnë pavarësinë e Kosovës. Ish Presidenti i Republikës foli për projekte të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës, heqjen e barrierave doganore, politika të përbashkëta në bujqësi dhe infrastrukturë etj.
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois