Topi: Besimi te Zoti na ndriçon udhën

Topi: Besimi te Zoti na ndriçon udhën
TIRANË - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik i shprehu urimet të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, me rastin e Krishtlindjeve.
“Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e Festës së Krishtlindjes, të shpreh urimet e mia më të mira e të përzemërta për Ju dhe, përmes Jush, për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë kudo jetojnë e punojnë!
Lindja e Krishtit, për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, është një ngjarje, e cila, për madhështinë e saj dhe mesazhin e shpresës dhe të përtëritjes, që për më shumë se dy mijë vjet u ka përcjellë popujve, përkujtohet solemnisht. Nën kambanat e kishës, dritën e qirinjve dhe lutjet e besimtarëve, ky kremtim i shenjtë përjetohet çdo herë, si burimi i një jete më të ndritshme e më të lehtë, që mbart frytet shpirtërore të dashurisë, gëzimit, paqes, durimit, mirëdashjes, besimit, zemërbutësisë. Ato janë një thesar i çmuar njerëzor, të cilin për çdo vit, besimtarët e mirë dhe të ndershëm, përpiqen ta trashëgojnë, ta përcjellin e ta ndajnë në tolerancë e harmoni me njëri-tjetrin. Këto virtyte dhe paqja e Perëndisë janë me bollëk në zemrat e besimtarëve shqiptarë. Në këtë ditë feste ne urojmë që ato të mbizotërojnë jo vetëm në shtëpitë e besimtarëve, në tempujt e shenjtë, por edhe tek të gjithë njerëzit me vullnet e shpirt të mirë në të gjithë botën. Në kushtet e qytetërimit modern, shumë njerëz e humbasin drejtimin e tyre shpirtëror dhe moral, por, për ata që sinqerisht kërkojnë dritën e së vërtetës, besimi tek Zoti dhe tek vlerat më të larta humane do t’ua ndriçojë e lehtësojë udhën”, shprehet presidenti në urimin e tij.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

‘TIMS’/ Kuvendi miraton me 76 vota pro raportin e PS! Salianji: Gjetjet tona i çojmë në SPAK, kush i bën emërimet e paligjshme?

‘TIMS’/ Kuvendi miraton me 76 vota pro raportin e PS! Salianji: Gjetjet tona i çojmë në SPAK, kush i bën emërimet e paligjshme?