Topi dekoron mjekët: Politika
ju mënjanon, e pafalshme  

Topi dekoron mjekët: Politika<br />ju mënjanon, e pafalshme  
TIRANË – Presidenti i republikës gjatë ceremonisë së dekorimit të disa prej emrave të shquar te mjekësisë shqiptare ka deklaruar se ky sektor nuk ka vëmendjen e merituar. Sipas kreu të shtetit, shkak është politika e cila ka monopolizuar gjithçka, përshirë edhe median.
“Sot më shumë se kurrë, vëmendja përqendrohet ndoshta në mënyrë të pamerituar tek konsumet e ‘scoop-eve’ mediatike, politike. Ajo që po e mbush më shumë jetën tonë, duke lënë shpesh herë pa vlerësuar, ai që është kontributi konkret në profesionet praktike, qoftë në fushën e mjekësisë, në fushën e ekonomisë, në fushat e inxhinierisë etj”, tha presidenti.
Ai kërkuar nga mjekësia shqiptare që të bazohet në betimin e Hipokratit për të bërë gjithçka për pacientët shqiptarë.
”Fjalët do të ishin të tepërta në këtë lloj vlerësimi, sepse është së pari, vlerësim që juve i keni bërë vetë profesionit, duke zbatuar jo vetëm rregullat apo ligjet e Hipokratit, por mbi të gjitha duke i qëndruar me shumë respekt misionit që ka mjekësia, pa llogaritur rreziqet që vijnë, edhe nga profesioni, por duke u qëndruar njerëzve shumë afër, duke zhvilluar dijet tuaja, duke rritur kualitetin e diagnozave dhe duke përfaqësuar absolutisht një elitë të denjë të mjekësisë bashkëkohore.



MJEKËT E DEKORUAR NGA PRESIDENTI
Urdhri “Nderi i Kombit”, Prof. Dr. Shefqet Ndroqin (Pas vdekjes), me motivacionin: “Personalitetit të shquar të mjekësisë shqiptare, njeriut human, mjekut të nderuar të popullit, shkencëtarit dhe pedagogut që me veprimtarinë e tij të gjerë e të shumanshme u bë një ndër themeluesit dhe organizatorët e mjekësisë moderne shqiptare, veçanërisht të asaj për kurimin e sëmundjeve të mushkërive”.

Urdhri “Mjeshtër i Madh”: Janko Theodhosin (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të shquar në mjekësinë shqiptare, si një nga themeluesit e shërbimit spitalor dhe pjesëmarrës aktiv e drejtues në luftën kundër sëmundjeve ngjitëse e atyre të rralla, si dhe për veprimtarinë e tij humane e shoqërore”.
Dhimitër Vavakon (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të çmuar si një nga themeluesit e shërbimit epidemiologjik në fushën e shëndetit publik e veterinar dhe në përgatitjen e shumë brezave të studentëve dhe specialistëve të rinj në këtë fushë”.
Jolanda Koçin (Osmanlliun) (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në mjekësinë shqiptare, veçanërisht në sektorin e higjienë-epidemiologjisë dhe profilaksisë, si dhe për veprimtarinë e çmuar shumëvjeçare shkencore në fushën e prodhimit të vaksinave”.
Kel Naraçin (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të shquar në zhvillimin e mjekësisë shqiptare, veçanërisht në mbrojtje të shëndetit të nënës e fëmijës, si dhe për veprimtarinë e tij në shërbimin sanitaro-epidemiologjik”.
Anesti Kondilin, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në mjekësinë shqiptare, si një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shërbimit të Reanimacionit të Kardiologjisë dhe për veprimtari të çmuar si pedagog e autor i një sërë tekstesh dhe botimesh në këtë fushë”.
Agron Belishovën, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në mjekësinë shqiptare, veçanërisht në krijimin dhe zhvillimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore në vend”.
Flamur Tartarin, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në mjekësinë shqiptare, veçanërisht në shërbimin e urologjisë, duke aplikuar arritjet bashkëkohore në këtë fushë; për veprimtari të çmuar në punën shkencore si dhe në përgatitjen e studentëve e të mjekëve të specializuar”.
Bedri Bylykun, me motivacionin: “Për kontribut të shquar, shumëvjeçar, në diagnostikimin dhe kurimin e sëmundjes së turbekulozit në vendin tonë, si dhe në përgatitjen e studentëve dhe mjekëve të specializuar”.
Sulejman Zhuglin, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në shërbimin e okulistikës në vendin tonë, si një nga themeluesit e saj dhe nismëtar i mikrokirurgjisë së syrit, duke futur përdorimin e aparaturës ekzaminuese dhe intervenuese në këtë shërbim; për aktivitetin e gjatë shkencor dhe pedagogjik në përgatitjen e specialistëve të rinj”.
Hysen Hetën, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në themelimin e klinikës së parë të kirurgjisë pediatrike në vendin tonë dhe në edukimin universitar dhe pasuniversitar të brezave të rinj në fushën e mjekësisë”.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit