Nën siglën, ‘Partia demokratike - Aleanca për ndryshim’, kreu i PD-së Lulzim Basha, ka finalizuar marrëveshjen me 12 aleatët e tij për të shkuar së bashku në një koalicion në zgjedhjet e 25 prillit.

Kreu i FRD Bamit Topi i cili ishte surprizë në këtë koalicion, ka qenë i fundit që ka firmosur, duke e mbajtur “peng” marrëveshjen, deri në pak minuta para se të skadonte afati i dorëzimit të saj në KQZ.

Lidhur me arritjen e kësaj marrëveshje, ka reaguar Lisandër Hoxha i FRPD, i cili në rrjete sociale ka ironizuar duke shkruar “u mbush PD me qendrestare bulevardi”.

Ndërkaq kujtojmë se etiketimi i 21 janarit nga Sali Berisha për Bamir Topin, ishte “horr bulevardi”!

Surprizë në këtë koalicion ka qenë perfshirja e FRD-së së Bamir Topit i cili pas "divorcit" nga Sali Berisha rikthehet në familjen e vjetër politike. Ky është një koalicion që bashkon edhe armiqtë e tjerë historikë si grekët e PBDNJ me çamët e PDIU, ose Republikanët e Fatmir Mediut me Monarkët e Shpëtim Axhamit. Kurse LSI e Monika Kryemadhit, do të garojë e vetme por do të ketë kandidatë të përbashkët nën logon e PD vetëm në Dibër dhe Kukës.

Pjesë e këtij koalicioni, janë PR e Fatmir Mediut, LZHK-ja e Dashamir Shehit, FRD e Bamir Topit, PAA e Agron Dukës, PDK e Nard Ndokës, PBDNJ e Vangjel Dules, PDIU e Shpëtim Idrizit, Balli Kombëtar i Artur Roshit nga opozita parlamentare, PBLD e Arjan Starovës, PBD e Ylber Valterit, PLL e Shpëtim Axhamit dhe PKD e Dhimitër Muslias.