DURRËS – Kreu i FRD-së, Bamir Topi, i ka bërë thirrje sot nga Durrësi, ish-elektoratit të tij e pikërisht atyre demokratëve që e mbështetën PD-në që në fillimet e saj, t'i bashkohen FRD-së: "FRD-ja është formacioni i vërtetë i së djathtës shqiptare, është shtëpia e vërtetë e demokratëve shqiptarë".

Topi theksoi më pas: "Në mënyrë të vendosur ne nuk mund të bënim koalicion me të majtët, se jemi parti e djahtë, por as koalicion parazgjedhor me ata që janë në pushtet, sepse na ndan morali politik. I bëj thirrje të djathtëve ta mbështesin FRD-në sepse ajo do të rikthejë në Parlament atë që ka munguar: komunikimin, etikën e komunikimit dhe vendosjen e interesave qytetarëve mbi interesat meskine të politikanëve".

Ish-Presidenti ka folur sot në Durrës, gjatë prezantimit të kandidatëve të FRD-së në këtë qark, të kryesuar nga  Gazmend Oketa. Ai tha ndër të tjera se “pushtetarët po dalin në tribuna elektorale por pa dhënë llogari për atë gjendje ekonomike që kanë krijuar, ku Shqipëria ka një borxh prej rreth  80 milionë eurosh çdo vit.  Për Durrësin në veçanti do thosha: si ka mundësi që në krye të portit qëndron gjithnjë i njejti drejtor ashtu siç qëndron gjithnjë në pushtet i njejti Kryeministër?! Po të kalojmë tek turizmi, një kaos urban i jashtëzakonshëm”.

Të gjitha fondet publike po shkojnë për rrugë, rrugë e asnjë rrugë nuk është në standarte. Ky korrupsion alarmant akuzon në radhë të parë Kryeministrin, ministrat dhe këtë administratë të korruptuar që ka humbur totalisht lidhjet me realitetin. Jam i bindur se kjo situatë nuk mund të vazhdojë me ata që kanë humbur lidhjet me qytetarët dhe e kthyen Shqipërinë në pronë të familjes së tyre. Pra, 23 Qershori duhet të na bëjë të reflektojmë të gjithë", - përfundoi ai.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)