TIRANE- Kreu i Partisë Fryma e Re Demokratike ka ritheksuar edhe një herë se është pro rotacionit. I ftuar në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”, në Tv “A1 Report”, kreu i FRD Bamir Topi, është shprehur se votat e forcës politike që ai drejton mund të jenë përcaktuese për krijimin e qeverisë së ardhshme.
 
Ish-presidenti Topi tha se është pro rotacionit jo vetëm të kryeministrit , por edhe më gjerë, pasi sipas tij nevojitet ndryshim i klimës politike në vend.
 
Ndërkaq, Topi përmendi si premtime të pambajtura nga kryeministri Berisha për zgjidhjen e çështjes së ish-të përndjekurve politikë dhe atë të pronave.
 
Sa i takon çështjes së pronave kreu i FRD, tha se “është dakord me legjislacionin aktual, por duhet bëhet transparencë”.
 
Për programin që FRD ka për ekonominë, Topi tha se “si një parti e qendrës së djathtë, FRD është pro taksës së sheshtë, por në mënyrë që ajo të zbatohet njësoj për të gjithë”. Pasi sipas tij “aktualisht disa biznese favorizohen, e disa jo”.
 
Më tej, Topi u ndal tek politikat që mund të favorizojnë zhvillimin e bujqësisë dhe prodhimeve vendase.
 
Nëse do të duhen votat e FRD për të krijuar qeverinë e re, ju kujt do ja jepni votat?
 
Votat tona mund të jenë shumë më pak, se ato të dy partive të mëdha por mund të jenë përcaktuese për krijimin e qeverisë së ardhshme. Nuk jemi në momentin për ta diskutuar këtë gjë. Ne duhet të përqasemi në frymën elektorale dhe ftoj të votojnë FRD.
 
Kjo fushatë duhet të sjellë rotacionin?
 
Kam qenë i drejtpërdrejtë dhe e përsëris, se në parim dhe konkretisht jemi për rotacion. Ky kryeministër duhet të lërë atë pozicion pasi i ka krijuar probleme klimës politike, ka krijuar një klime fobie tek njerëzit. Dhe e ka forcuar këtë bindje sidomos gjatë fushatës, ku administrata e detyruar ka ndjekur kryeministrin. Kjo sjellje nuk nderon askënd, e sidomos atë që është në krye të qeverisë.
 
E keni fjalën rotacion për kryeministrin apo gjithë PD?
 
Kur them në parim kam parasysh rëndësinë që ka rotacioni për Shqipërinë. Flas për rotacion elitash, gjeneratash, pasi e shikoj problemin shumë gjerë. Problemi është se në parti politike sot mbizotëron fryma e një individi. Si në një parti edhe të tjetra shoh një masë të madhe të rinjsh që janë të dizorientuar, pasi liderët e partive nuk i lejojnë të penetrojnë. Ne flasim për nevojat imediate të ndryshimit të klimës politike në vend.
 
Ju nuk votoni jo vetëm Berishën, por edhe një përfaqësues tjetër të PD?
 
Një parti sado e re të jetë, ka akumuluar brenda eksperiencë të jashtëzakonshme. Ne do të votonim për kryeministër, por edhe me probabilitete që mund të vijnë pas zgjedhjeve, në mund të kemi propozime konkrete që mund të vijnë edhe nga palë të tjera. Mund të jesh një faktor minor, ose më i vogël por mund të jesh i rëndësishëm në të gjitha marrëdhëniet që krijohen pas zgjedhjeve.
 
Ktheheni nëse PD do t’ju japë postin e kryeministrit?
 
Nuk jam kthyer në politike për interesa politike, por për një mision qytetar. Kam pasur karrigen e Presidentit, të postit më të rëndësishëm të vendit. Klima në mjedisin shoqëror është tjetër gjë nga ajo e krijuar në mjedisin politik. Ftoj qytetarët të japin një votë për ndryshim. Dhe me 23 do ketë rotacion në Shqipëri.
 
Pse mendoni se e djathta do ju votojë ju? Pse duhet t’ju besojnë në këtë sfidë politike, kur këtë gjë e kanë tentuar shumë të tjerë dhe janë kthyer tek partia mëmë?
 
FRD nuk ka dalë si një parti që vjen nga PD, por vjen nga një terren specifik, që ka në gjirin e saj njerëz me eksperiencë politike, dhe me kontribute politike. Por ka edhe shumë të tjerë që nuk kanë pjesë e asnjë partie. Misioni ynë është për të rimarrë dhe për të realizuar të gjithë ato premtime madhore që qeveri e vitit 1991 i la rrugës, dhe i zëvendësoi me premtime elektorale të pambajtura.
 
Zoti Berisha thotë se i ka mbajtur të gjitha premtimet? Cilat janë këto?
 
Së pari të përndjekurit politikë, jo vetëm kompensimi financiar, por mënyra e sjelljes e kryeministrit aktual me një pjesë të tyre. Një vit më parë ju keni parë dy njerëz që digjeshin, por keni parë edhe kulmin e indiferencës së një kryeministri që nuk shprehu shenjë keqardhje. Unë mendoj se jo vetëm kjo çështje në momentin e respektimit të kauzës së tyre, por edhe financimi i tyre. Janë dhënë dëmshpërblime vetëm për qëllime elektorale, dhe nuk arriti të aplikojë asnjë skemë. Fakti që ka dalë për të thënë se ne i realizojmë për tre vjet, duke imituar qëndrimin tonë si FRD, tregon se mundësitë qenkan, apo ishin. Por ai nuk e ka atë vullnet. Ka raste interesante që kolegët i zbulojnë dora-dorës. Në vitin 1994 në të njëjtën ditë në Librazhd ky kryeministër ka dekoruar në të njëjtën ditë Genc Lekën, së bashku me atë që ka denoncuar Genc Lekën. Kjo tregon se sa bashkëjeton brenda qendrës së tij dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes. Ka qenë 8 vjet kryeministër në një vend të vogël si Shqipëria, por nuk ka bërë asgjë për pronën. Kjo çështje është ende e parealizuar. Tregon paaftësinë e kësaj force politike qeverie për ta realizuar. Për këtë meritojnë të ndëshkohen me votë.
 
Shoqatat e ish-pronarëve, thonë që edhe ju keni qenë president, pse nuk keni ngritur zërin?
 
Në mënyrë absolute kam ngritur zërin, dhe jam i vetmi zë që kam në memorie në arkivat e televizioneve, me orë të tëra të shprehura për çështjen e pronës. Kam bërë aq sa ka mundësi të bëjë një kryetar shteti, të mos lejojë, të mos dekretojë, vendime që shkojnë në dëm të pronarëve shqiptarë. Kam mbajtur një qëndrim abstenues, duke i dhënë të kuptojë se mazhoranza duhet të ishte e vëmendshme e ekuilibruar në trajtimin e çështjes së pronës. Mbi bazën e një procesi të transparencës duhet të dalin rezultatet, pasi qindra hektarë tokë janë marrë nga njerëz që ende nuk dihet se cilët janë. Shqipëria trashëgoi 741 mijë hektarë tokë, dhe kishte mundësi të kthente pronën tek pronarët. Çështja ngelet tek rikthimi me një proces transparence. Jemi dakord me legjislacionin aktual por duhet bëhet transparencë. Çdo gjë që realizohet si ligj, duhet ë respektohet nga të gjithë, por kur nuk zbatohet me korrektësi, duhet të hetohet se cilët janë të implikuar tek çështja e pronave. Duhet t’i jepet fund kësaj historie, pasi ka ardhur koha t’i hapet rrugë investimeve vendase dhe të huaja.
 
Ka një ide të Ramës që thotë se transparencën do ta marrë përmes marrjes së arkivit origjinal, nga Italia, dhe në bazë të tij të bëhet transparenca. Ju duket zgjidhje?
 
Unë ia besoj plotësisht politikës dhe shtetit instrumentet ligjore që ekzistojnë në Shqipëri për të gjetur rrugët e kësaj transparence. Ne jemi shtet i vogël dhe kemi mundësi që ta vendosim këtë çështje në themel, pasi ka të bëjë me mungesën e transparencës. Ekzistojnë arshivat, edhe pse janë bërë deri diku ndryshime për të ndryshuar vijat në hartë. Por ekzistojnë mundësitë për të parë ecurinë, nëse ka qenë korrekt apo jo.
 
Si shpjegohet që ky komunitet prej 22 vitesh voton PD e cila ka pasur sloganin de facto “toka është e zanun”, pasi tokat janë marrë më mënyrë zaptuese?
 
Ky komunitet ka besuar gati verbërisht te një person që në mënyrë konstante i ka mashtruar dhe nuk ka pasur alternativë tjetër. Tani situata është komplet ndryshe. Ky komunitet sot beson tek alternativa e FRD dhe të jeni të sigurt se situata ka ndryshuar. Njerëzit janë ndërgjegjësuar. Kanë parë mënyrën e sjelljes së politikaneve. E dinë se kush tenton ta realizojë atë që thotë, por së paku sinqeriteti i shprehur me fjalë shkon në përpjekje për t’u realizuar.
 
Berisha ka thënë se edhe doktor Flamuri, vëllai juaj, do votojë për PD?
 
Këtu është kulmi i këtij lloj paradoksi, që ai tenton të futet kudo, në familje farefis, ai nuk di pjesën tjetër të medaljes. Nuk di se ç’më ka treguar mua Flamuri për të. Un nuk di t’u përgjigjem me të njëjtën monedhë. Por di t’u them se askush nuk ka të drejtë të penetrojë tek një familje biologjike, për të ndryshuar raportet familjare vetëm mbi bazën e ca reagimeve politike. Ai duhet të kuptojë se me këtë lloj mesazhi ka fituar përçmimin e shumë njerëzve, të cilët me kapin në rrugë më thonë këtë gjë, duke tentuat të demonstrojnë atë që nuk është aspak reale. Doktor Flamuri është aq i nderuar sa që ai kolegu i vet nuk meriton ta ketë mik. Kur ka sulmuar familjen Topi, kryeministri nuk duhet të harrojë se ka sulmuar familjen Topi në bllok, për hir të synimeve politike. Edhe për këtë arsye e meriton të mos jetë në atë post, pasi arsyet njerëzore janë para atyre politike. Ky njeri nuk meriton të jetë në krye të këtij pushteti, pasi korrupsioni është galopant.
 
Duke qenë parti e së djathtës ju e shikoni se çfarë ndodh në fushatën e PD. Ju ka bërë përshtypje që disa nga protagonistët e kësaj fushate, si Olldashi, Bode, Topalli, janë sfumuar pak, dhe si pasardhës i mundshëm shfaqet zoti Basha? E keni konstatuar këtë?
 
Nuk është në vëmendjen time kjo gjë. Unë kam konstatimet e mia, një parti politike që ngrihet mbi bazën e këtyre marrëdhënieve, imagjinoni ç’mund të transmetojë kur është në pushtet. Kthehet në një qeverisje klanesh.
 
Berisha dje la të kuptohet se ikën nga politika nëse humbet zgjedhjet? Ju shihni një mundësi kthimi në PD?
 
Jo në asnjë mënyrë. Ne kemi një parti politike. E ardhmja mund të sjellë bashkëpunime. Por unë nuk shoh asnjë lloj arsye të ndjek një rrugë që e kanë ndjekur të tjerët. Është rruga e tyre, rruga ime është tjetër gjë. Kemi vizionin dhe objektivat tona politike.
 
Ju jeni parti e re dhe nuk keni arritur të përhapeni në gjithë vendin. Në cilat qarqe jeni fokusuar?
 
Është perceptim i gabuar. Jemi parti e re, por në çdo qytet në çdo fshat kemi strukturat e FRD. Qarqet e mëdha e sidomos Tirana, Elbasani, Fieri, Shkodra, Dibra, pa lënë këtu edhe qarqe të tjera, ku po bëjmë një konkurrim dinjitoz. Kemi njerëz të përkushtuar dhe politikanëve elitarë. Në Berat kemi zotin Sallabanda, që ka qenë ambasador i Shqipërisë. Zoti Oketa është në Durrës, i njohur për kulturën qytetare, moderacionin e tij, që i bën nder frymës së FRD. Kemi figura të njohura dhe përfaqësues dinjitozë, të fushave të ndryshme. Kudo ku të shkojmë ne kemi përfaqësues shumë dinjitozë, besojmë se profili dhe programi i FRD japin mundësi për shumë sukses.
 
Sot përfundon fushata. Si mendoni se është zhvilluar nga të gjitha partitë?
 
Kjo ka specifiken e vet krahasuar me fushatat e tjera. Ka filluar muaj përpara nga koha zyrtare. Disa lider po e përfundojnë të çjerre, s’kanë as zë të artikulojnë mendimet e tyre. Fushata nuk është 100 metërsh. Fushata ka dinamikën e vet. Nuk kemi parë një debat. Shkojnë nëpër studio, shprehin mendimet e tyre, por debati është i domosdoshëm. Sa më shumë largohemi nga një periudhë e sistemit prej 23 vitesh, aq më shumë i largohemi një modeli të debatit sa i takon programeve. Mirë ata që janë të vendosur, por ata që janë të pavendosur kanë nevojë për debat që të binden. Jo vetëm me monologë. Fushata ka qenë e qetë, por ka pasur dhe raste dhune, siç ka qenë ai i kandidatit të FRD në Fier. Ai është ende i vendosur të luftojë deri në fund. Është funksionuar shumë në lidhje të nëndheshme për të punuar ndaj atyre që vijnë tek FRD duke i shtyrë të tjetër të shkojnë nëpër mitingjet e partisë në pushtet. Kjo krijimin shumë axhitim.
 
Si e shikoni si proces. Mendoni se këto zgjedhje do jenë një hap para?
 
Ne po diskutojmë për raste konkrete dhe për periudhën paraelektorale. Fakti që RTSH nuk e ka përmendur njëherë të vetme FRD, tregon se është bunker i qeverisë aktuale. Disa televizione private nuk kanë marrë në konsideratë faktin se FRD, duhet të citohet gjatë kësaj fushatë, ndodh si pasojë e presionit të pushtetit. Unë nuk besoj se kjo është një klimë normale, e pastaj për të ardhur te tjetra, shpërdorime maksimale për postera, banderola, flamuj. Berisha ndryshoi numrin, me sa duket është i lidhur me 44 kur filloi regjimi komunist në Shqipëri. Në rast se nuk do ta ndryshonte nuk do kisha arsye për ta gjykuar. Por e bëri këtë, me një vendim nga një komision që funksionon me 4 anëtarë.
 
Ju thoni që është institucion i politizuar. Votimi është aty si 4 me 3, si 4 me 0.
 
Nuk është kështu. Unë mendoj ndryshe. Cilësohet një komision mbipartiak, por kur krijohet nga parlamenti është instrument i ligjit. Kemi parë një spot që i kërkon komisionarëve që kush i deformon zgjedhjet dënohet me 8 vite. Nga njëra anë tregojnë ligjet, e nga ana tjetër nuk zbatohen. Këta janë larg nga ideja se në demokraci është ligjit ai që i vendos gjerat.
 
Ju përmendët të përndjekurit politikë, pronat. Por cila është specifika e programit tuaj. Çfarë duhet të ndryshojë në ekonominë shqiptare?
 
Ekonomia shqiptare është pjesë e rëndësishme e programit tonë. Duhet t’i kthehemi prioriteteve bazë të ekonomisë shqiptare. Vetëm mbështetja që i bëhet bujqësisë në vend është ende shumë e ulët, dhe shumë larg asaj që thonë ata për injektimet në sektorin e bujqësisë. Është së dyti çështja e industrisë se agro-përpunimit. Së treti është agro-teknika, dhe së katërti është çështja e certifikimit të pronës në bujqësi. Ne jemi në fazën e një bujqësie gjysmë feudale, pasi ende nuk ka dokumente të qartë pronësie. Duhet certifikuar malli. Problem mbetet siguria ushqimore. Duhet të përdoren instrumentet ligjore, për garantimin e këtyre parametrave. Por kështu duhet stimuluar bujqësia dhe blegtoria me subvencione. I njëjti karburant këtu përdoret për makinat luksoze, dhe për makinat bujqësore, nuk ndodh në asnjë vend tjetër. Stimulimi i biznesit të vogël dhe të mesëm nuk është në kushte të drejta. Një pjesë e klientelës së qeverisë i merr të gjitha shanset për t’u rritur, dhe pjesa tjetër konsiderohet si biznes i opozitës dhe denigrohet nëpërmjet gjobave. Jemi parti e qendrës së djathtë, dhe orientohemi tek taksa e sheshtë, por synojmë një taksim të drejtë për çdo biznes. Mënyra sesi aplikohet taksa e sheshtë në Shqipëri nuk është e drejtë. Kjo vihet re sa i takon stimulimit të bizneseve që janë të lidhura me qeverinë, dhe mungesën e hapësirave për bizneset e tjera.
 
Në fillim të bisedës më latë të kuptohet se asnjë nga grupimet e mëdha nuk do të marrë 71 deputetë?
 
Nga këndvështrimi ynë kështu rezulton apo edhe nga analizat.
 
Në këtë rast cili është qëndrimi që duhet të mbajë presidenti?
 
Nuk jam më në pozicionin kur mund t’i përgjigjesha kësaj pyetje, po sot unë jam kryetar i një partie politike dhe kam bindje se përpara se të jetë në subjektivizmin e ndonjë lideri politik, duhet të jetë pjesë e interpretimit të kushtetues. Pavarësisht se sot institucionet kanë shkuar në një drejtim, kjo nuk do të thotë se shteti dhe institucionet e shtetit duhet të veprojnë negativisht. Besoj se palët duhet të kuptojnë se s’duhet të rifusin sërish shoqërinë në krizë. Shpresoj gjithashtu në një pjesëmarrje masive të njerëzve në votime.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)