KUKES - Ashtu si Kukësi edhe e gjithë Shqipëria është në një ngërc zhvillimor. Mazhoranca dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për këtë gjendje por ne i akuzojmë të dyja palët. Kjo ka qenë deklarata e lëshuar sot nga kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi. Duke folur nga qyteti i Kukësit, Topi tha se mungesa e investimeve në këtë zonë është përgjegjësi direkte e qeverisë, ndërsa borxhi publik është alarmant.

“Duhet t’ju riktheheni me vrull dhe besim parimeve të demokracisë. Ashtu si Kukësi edhe e gjithë Shqipëria është në një ngërc zhvillimor. Mazhoranca dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për këtë gjendje, por ne i akuzojmë të dyja palët. Mungesa e investimeve në këtë zonë është përgjegjësi direkte e qeverisë, ndërsa borxhi publik është alarmant. Investimet nuk janë të njëtrajtshme dhe zhvillimi ekonomik bëhet në frymë klienteliste” u shpreh Topi.

Më tej kreu i FRD-së tha se “Historia nuk e harron mikpritjen kuksiane për shqiptarët e Kosovës. Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, shoh edhe këtu në këtë sallë që Fryma e Re Demokratike është e rrethuar me njerëz gjithmonë mikpritës por që kërkojnë shpresë dhe jo retorikë boshe. Komunikimi me qytetarët duhet të jetë gjithnjë i drejtpërdrejtë, jo i njëanshëm dhe nëpërmjet faltoreve politike”.

Kurse nënkryetari i FRD-së Aleksandër Biberaj shprehet se “Kukësi është dera e parë e mikpritjes shqiptare, përmes tij kalon Rruga e Kombit dhe megjithatë Kukësi ka ngelur jashtë vëmendjes dhe investimeve të qeverisë aktuale. Kjo zonë ka ngelur tërësisht e braktisur dhe e anashkaluar nga investimet. Këtu nuk ka as treg funksional, as ujësjellës e as energji. Ka papunësi të lartë dhe varfëri të madhe në të gjithë zonën, Has, Tropojë e Kukës”.

Biberaj thekson se “Kukësi nuk e meriton që të jetë i përfaqësuar dikur me Hasan Prishtinën e sot me Flamur Nokën. Kukësi është paradoksi i investimeve ku ka aeroport pa avion dhe treg që nuk funksionon. Pjesa më e prekur e qytetarëve sot është rinia e cila është pa të ardhme, sepse qeverisja e sotme i shet vendet e punës. FRD nuk ka shkop magjik për ta ndryshuar gjendjen brenda 24 orëve por ajo garanton moral, përkushtim, drejtësi dhe meritokraci”.

Kreu i FRD-së ftoi të pranishmit që duke filluar nga muaji janar të angazhohen në aksionin e madh politik që do të ndërmarrë FRD në të gjitha qarqet, në rrugën drejt zgjedhjeve që do të sjellin ndryshimin në vitin 2013.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)