TIRANE- Gjatë një takimi me studentët në Tiranë, kreu i Frymës së Re Demokratike është ndalur tek problematikat me të cilat përballet ky brez aktualisht sa i takon diplomimit dhe punësimit. Në përgjigjet e pyetjeve të drejtuara nga studentët, Topi theksoi se është e rëndësishme të mos manipulohet vota dhe procesi zgjedhor.
 
“Ky nuk është takim elektoral dhe unë s’ju them fare votoni FRD, ju them shfrytëzoni momentin e dilni votoni. Uljani shansin atyre që kanë manipuluar zgjedhjet historikisht, sepse do kontribuoni në këtë mënyrë më shumë se politikanët” tha Topi.
 
Topi i bëri thirrje të rinjve të jenë më të vëmendshëm ndaj programeve zgjedhore, pasi ky parlament duhet të jetë më i mirë se ai që shkoi, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e një poli të tretë apo të katërt.
 
“Ky parlament bipolar me një shoqëri e politikë që nuk ka kulturën e bipolarizimit kërkon një të tretë e të katërt. Janë njerëzit ata që e kanë në dorë ndryshimin më 23 qershor. Me votë mund të japin një ndryshim të dukshëm që përcaktojnë fatin e këtyre individëve që kërkojnë të jenë të plotfuqishëm, me ndryshimet kushtetuese që i hartuan vetë”, u shpreh kreu i FRD.
 
Më tej, Topi theksoi faktin se forcimi i institucioneve shtetërore do të mund të garantojë një klimë më të mirë për biznesin dhe për rrjedhojë rritje të punësimit të të rinjve.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)