TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi dërguar homologut të tij, Gjorgje Ivanov, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Maqedonisë, Kiro Gligorov.
"Me keqardhje mësova për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Kiro Gligorov. Më lejoni që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh Juve, familjarëve të të ndjerit dhe mbarë popullit të Maqedonisë ngushëllimet më të sinqerta!
Me këtë rast, shpreh vlerësimin tim për rolin dhe kontributin e rëndësishëm të këtij personaliteti në jetën politike dhe shoqërore të Maqedonisë, si President i parë i vendit tuaj pas rënies së Jugosllavisë.
Ju lutem pranoni, zoti President, ndjenjat e solidaritetit të sinqertë të popullit shqiptar në këto momente të vështira!” – theksohet në mesazhin e ngushëllimit të Presidentit Topi.