KORÇË - Kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi ka çelur në qytetin e Korçës fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, duke prezantuar dhe kandidatët për rajonin juglindor.

Nga Korça, Topi ka akuzar dy partitë kryesore, PD dhe PS si dhe kryetarët e tyre, Edi Ramën dhe Sali Berishën, se po shpërdorojnë para pa kriter për fushatë, në një kohë që vendi është në krizë. Sipas kreut të FRD-së, çdo gjë bëhet për të ricikluar karrigen e tyre, si dhe për të krijuar tek qytetarët imazhin e mitingjeve madhështore, kur në të vërtetë çdo gjë është artificiale dhe e sfumuar.

Duke e hedhur vështrimin pas, Bamir Topi ka deklaruar se për interesin e dy personave, referuar këtu kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Rama u ndryshua Kushtetuta, si dhe u rrënuan institucionet. FRD ka nënvizuar, Topi në programin e saj ka kërkuar që presidenti i ardhshëm i Shqipërisë të zgjidhet nga populli, ndërkohë që parlamenti të ketë 100 dhe jo 140 deputetë, sikurse ndodh sot, ku pjesa më e madhe e tyre sipas tij janë thjesht mekanizma të kreut të partisë ku bëjnë pjesë.
 
Më tej, kryetari i FRD-së, Topi është ndalur dhe tek parlamenti si dhe tre ligjet për marrjen e statusit kandidat. Parlamenti sipas, Topit është kthyer në një institucion vulgar, që nuk mund të përfaqësojë interesat e qytetarve të ndershëm shqiptarë, pasi drejtohet nga një person që nuk ka edukatë.

Ndërkohë lidhur me tre ligjet, edhe sikur ato të votohen, ka nënvizuar, Bamir Topi, Shqipëria është shumë larg standardeve, që kanë të bëjnë me institucionet e pavarura, me mënyrën e sjelljes së politikës, si dhe më këtë situatë katastrofike në ekonomi.

Ndërkohë, Bamir Topi i ka ftuar qytetarët korçarë, që në 23 qershor të votojnë Frymën e Re Demokratike, e cila bën aleancë vetëm me qytetarët.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)