KUVAJT – Qeveria e Kuvajtit ka miratuar sot edhe këstin e dytë të financimit për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej” në Tiranë.
Vendimi është marrë gjatë vizitës në Kuvajt të presidentit shqiptar Bamir Topi, të cilit përpara largimit i është komunikuar se qeveria ka lëvruar edhe këstin e dytë prej 5.5 milion euro.
Afro 4 vjet më parë qeveria shqiptare dhe ajo kuvajtjave firmosën marrëveshjen për një financim prej 5 milion eurosh, pas së cilit nisi puna për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”. Kuvajti nuk e ndryshoi fondin edhe pas rotacionit politik në bashkinë e Tiranës në maj të vitit të kaluar.
Bashkë me fondin e lëvruar sot, qeveria kuvajtjane ka financuar një fond prej 10.5 milion eurosh në total.
VIZTA E PRESIDENTIT
Presidenti Topi ka zhvilluar disa takime gjatë qëndrimit të tij dyditor në shtetin e Kuvajtit. Gjatë takimit me Emirin e këtij vendi, Presidenti Topi ka shprehur falenderimet e shtetit shqiptar për ndihmat e deritanishme financiare. Ndërsa një ditë më pare, Topi është pritur nga kryeministri i vendit ku edhe është diskutuar edhe financimi i qeverisë kuvajtjane për sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

(aq/shqiptarja.com)