TIRANË –FRD-ja do të intensifikojë marrëdhëniet me publikun, do të heqë kollaret, do të vishet sportiv, do të lërë zyrat dhe do të kontaktojë direkt me qytetarët aty ku ata punojnë, në rrugë, kafene,  për ta prekur nga afër jetën. Kështu ka deklaruar sot, kreu i FRED-së, Bamir Topi, në një konferencë për prezantimin e kandidatëve. "Ne synojmë një parlament të ri që nuk i ngre komisionet hetimore për të linçuar kundërshtarët, por komisione që marrin funksione që nuk i merr dot një institucion tjetër", - tha ai.

TOPI: E VETMJA PARTI QË TEJKALUAM 30% E KANDIDIMIT TË GRAVE

“Kam rastin sot të shpreh me kënaqësi që FRD-ja ka paraqitur listat jo vetëm duke respektuar 30%-shin e përfaqësimit të grave, por duke e tejkaluar ndjeshëm dhe me informacionet që kam, jemi i vetmi formacion politik, që e kemi tejkaluar atë”, - tha Topi.- “Ne nuk hyjmë në ato parti që janë gati të paguajnë gjobë për të pasur një listë burrash. Si shembull po jap vetëm qarkun e Kukësit, ku përfaqësimi i grave është mbi 50%."

Topi njoftoi gjithashtu se Andi Seferi do të drejtojë shtabin elektoral të FRD-së në Tiranë , që aktualisht mban postin e sekretarit të burimeve njerëzore në parti.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)