Topi në takim me Fassino: Ju
shqiptare model bashkëjetese

Topi në takim me Fassino: Ju<br />shqiptare model bashkëjetese
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe delegacioni që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Itali, u pritën sot nga Kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fasino. Presidenti Topi i shprehu zotit Fasino konsideratën e lartë për rolin dhe punën e Kryebashkiakut të Torinos në mbështetje të politikave vendore që nxisin integrimin e shtetasve të huaj në këtë qytet, e në veçanti për qytetarët shqiptarë, të cilët tashmë janë një shembull i bashkëjetesës dinjitoze mes vlerave dhe traditave më të mira të vendit të tyre të origjinës dhe të normave e standardeve të qytetarisë evropiane. 

“Komuniteti shqiptar në Itali është një urë e fortë lidhëse, komunikimi mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe aftësia dhe zotësia e këtij komuniteti për t’u integruar në një kohë të shkurtër në jetën e një qytetit të zhvilluar, plot kulturë e histori, siç është Torino, dëshmon për gjenezën dhe identitetin evropian të shqiptarëve që shprehet qartazi, sidomos sot, në aspiratën e mbarë popullit për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane”, – u shpreh Presidenti i Republikës. 

Në këtë pikë Presidenti Topi theksoi se: ‘’Ëndrra e të gjitë shqiptarëve kudo ku jetojnë është që të integrohen në Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh bashkësinë shqiptare tashmë të integruar në Rajonin e Piemontes dhe në Torino, ne kemi një urë lidhëse mes nesh të përbërë nga njerëz që jetojnë e punojnë së bashku çdo ditë. Prandaj shpresojmë që edhe numri i investitorëve torinezë të rritet në Shqipëri.’’ 

Kryebashkiaku i Torinos theksoi se ‘’ndihemi të nderuar me praninë e Presidentit Topi pikërisht në përvjetorin e njëzetë të nisjes së emigracionit modern shqiptar në Torino. Shqiptarët, me punën, djersën dhe pasionin e tyre kontribuojnë çdo ditë për rritjen ekonomike, shoqërore dhe kulturore të këtij qyteti. Së bashku me grupet e tjera të emigrantëve, që janë integruar më së miri, ata përbëjnë një pasuri për qytetin tonë.’’

Kryetari i Shtetit u takua dhe u përshëndet edhe me Ministrin e ri të Arsimit të qeverisë italiane, Françesko Profumo. Interes të veçantë në këtë ditë të vizitës së Presidentit Topi në Torino, përbënte dhe pjesëmarrja e tij në përurimin e ekspozitës fotografike “Shqipëria: para dhe pas – vendi i tyre i parë nën këndvështrimin e të rinjve shqiptarë”, që është organizuar nga Bashkia e Torinos dhe Qendra e Kulturorës Shqiptare në Qendrën Ndërkulturore të qytetit. 

Në përurimin e kësaj ekspozite, ku ishin të pranishëm Drejtuesi bashkiak për Kulturën, Promovimin dhe Turizmin, Mauricio Braçialarge, Drejtori i Përgjithshëm për BE-në, Mario Bova, drejtues vendorë dhe personalitete të artit e kulturës si dhe mjaft bashkatdhetarë, u ekspozuan foto që i përkisnin periudhës para ndryshimeve demokratike dhe pas tyre, të realizuara nga studentë shqiptarë që ndjekin universitete të ndryshme të Italisë. 

Në këto fotografi binte në sy kultura estetike, përzgjedhja realiste për të përshkruar dy sisteme të ndryshme, para dhe pas vitit të madh të ndryshimeve ku fotoja që ndante të dyja epokat ishte e shkrepur në Qytetin Studenti në dhjetor 1990 dhe atdhedashuria përmes së cilës ishte konceptuar kjo foto-ekspozitë. Në përfundim, të pranishmit ndoqën një homazh muzikor e letrar për nder të poetit të madh shqiptar, Migjenit, i cili u shua pikërisht në Torino.

Duke i përgëzuar organizuesit për këtë veprimtari ‘’të thjeshtë, por shumë domethënëse,’’ Presidenti Topi theksoi: ‘’kjo foto-ekpozitë na kujton se si ishim, por na shërben edhe për të rikujtuar mikpritjen që ju keni gjetur këtu. Prandaj si qytetar, si politikan, si President i Republikës, mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë se si u hapën zemrat e italianëve duke ju krijuar ju mundësi që të ndërtoni jetën dhe të ardhmen. Brezi i ri, sidomos duhet të jetë i ndërgjegjshëm për sakrificat e prindërve, por edhe për perspektivën që do të zgjedhë qoftë duke jetuar, studiuar e punuar në Itali në të ardhmen, qoftë duke u kthyer në Shqipëri, por një gjë është e qartë: të gjithë do të jemi pjesëtarë në familjen e madhe evropiane.’’

Presidenti Topi, u prit sot edhe nga Presidenti i Këshillit Rajonal të Piemontes, Valerio Kataneo. Gjatë takimit, Presidenti Topi dhe zoti Kataneo vlerësuan marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera e shumëplanëshe që ekzistojnë mes dy vendeve tona si dhe bashkëpunimin e vlefshëm politik, ekonomik, shëndetësor, kulturor, akademik, etj, duke vënë në dukje gjithashtu edhe nevojën për një intensifikim të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

“Shqipëria shikon tek Italia një partner strategjik, një vend dhe një popull mik me të cilin ne kemi shprehur qartë dhe kemi dëshmuar prioritetet e bashkëpunimit të gjithanshëm në funksion të interesave të vende dhe popujve tanë”, - vuri në dukje Presidenti Topi.

Kryetari i Shtetit u shprehu mirënjohjen autoriteteve italiane dhe përfaqësuesve vendorë në emër të të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj, të cilët po kontribuojnë jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve, por edhe për vetë të ardhmen e Italisë. Në këtë drejtim, Presidenti Topi vuri në pah mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, duke theksuar rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve ekonomiko-tregtare si shtimin e numrit të investitorëve piemontezë në vendin tonë.

Pasi i uroi Presidentit Topi mirëseardhjen në Itali, Presidenti i Këshillit Rajonal të Piemontes, zoti Kataneo shprehu kënaqësinë e këtij takimi dhe vuri në dukje faktin se vizita e Kryetarit të Shtetit Shqiptar në Itali është një tregues pozitiv i marrëdhënieve tradicionalisht shumë të mira e të afërta që ekzistojnë mes dy vendeve e popujve tanë. Zoti Kataneo dhe anëtarë të Këshillit Rajonal vlerësuan praninë e rëndësishme të bashkësisë së mirëintegruar shqiptare dhe rolin e saj me peshë në Rajonin e Piemontes.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Tërmet me magnitudë 4.6 ballë në detin Adriatik, lëkundje të forta ndihen në Tiranë e Durrës

Tërmet me magnitudë 4.6 ballë në detin Adriatik, lëkundje të forta ndihen në Tiranë e Durrës