TIRANE - Pas votës së hedhur në shkollën 9-vjeçare, “Servete Maçi”, kreu i Partisë “Fryma e Re Demokratike”, Bamir Topi tha: "Shfrytëzova të drejtën time dhe pata kënaqësinë që të votoj për numrin 66. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të ruajnë qetësinë të qëndrojnë larg episodeve të panevojshme dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës pavarësisht bindjeve të tyre.Vota e juaj në masë do të jetë patjetër një kusht i rëndësishëm që shteti dhe shoqëria të fitojë ekuilibrat”.

Lidhur me incidentin e sotëm në Laç kryetari i FRD-së tha: “Ajo që ndodhi në Laç është e dhimbshme, pasi humbi jeta e një njeriu dhe e gjitha si pasojë e një politike të vjetër. Njerëzit janë të prirur të shkojnë pas partive politike, por disa individë gjatë kësaj kohe kanë prodhuar këtë lloj politike, që nuk është normale. Sot është momenti që shoqëria të vendosë me qetësi dhe të bëjë analizë për ato që ndodhin. Ne nuk mund të tolerojmë që në vitin 2013 të ketë ngjarje të tilla, të cilat nuk ndodhin në asnjë vend të Ballkanit. Sot duhet të ndahemi nga tranzicioni, duhet të plotësojmë standartet dhe njëri prej tyre është ai i zgjedhjeve. Uroj që pjesa e mbetur e procesit, si edhe procesi i numërimit të shkojë në qetësi."