GJIROKASTËR - Kreu i FRD, Bamir Topi, ka prezantuar sot në Gjirokastër, kandidatët për deputetë të listës së tij në qarkun jugor. Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë, Çezar Kotoni si një ndër themeluesit e degës së PD në Gjirokastër 22 vjet më parë, ka bërë thirrje elektoratit të votojë nr 66 pasi FRD, është një parti me vlera vërtetë të së djathtës. Ndërsa Topi, në fjalën e tij, vendosi në dukje traditën dhe vlerat historike të Gjirokastrës, ndërkohë që akuzoi qeverinë për mungesë vëmendjeje dhe projektesh për restaurimin dhe mbrojtjen e objekteve historike të këtij qyteti.

Topi tha se FRD shkon në zgjedhje me një bilanc shumë interesant pasi është një forcë me moral dhe dinjitet ku i qëndron larg abuzimeve dhe konflikteve. Për zotin Topi, partia që ai drejton, pas 23 qershorit, do të shndërrohet në faktor të rëndësishëm në vendimarrjen legjislative e cila do të kushtëzojë çdo bashkëpunim me zbatimin e çdo pike të programit të saj.

Topi, nuk ka lënë jashtë vëmendjes, as kryeparlamentaren Topalli ku e ka etiketuar si militante partiake, konfliktuale e cila nuk ka luajtur rolin që i takon të moderators. Në këtë pikë, Topi shprehu besimin se moderatori i parlamentit të ardhshëm të mos persekutojë, ironizojë, përçajë dhe diktojë deputetët, por të jetë një politikan i moderuar. Topi sulmoi ashpër PD-në ku sipas tij është e ngjashme me partitë e majta, pasi ka jo vetëm elementë të programit të së majtës, por edhe kandidatë emblemë të së majtës tradicionale në Shqipëri. Kreu i FRD, ftoi gjirokastritët të vlerësojnë siç duhet momentin e pjesëmarrjes në votime, sepse sa më e lartë të jetë pjesëmarrja në zgjedhje, aq më e shumtë do të jetë vota pro FRD-së.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)