TIRANE - Kryetari i FRD-së, Bamir Topi mbajti sot në një nga sallat e Pallatit të  Kulturës në Tiranë një leksion të hapur me studentë të universiteteve, votues për herë të parë. Tema e leksionit ishte “Unë duhet të votoj”.

Kryetari i FRD-së Bamir Topi ndër të tjera tha se në shoqërinë shqiptare rinia duhet të jetë mjaft aktive dhe një ndër misionet e saj është të luftojë indiferencën ndaj votës, e cila i kushton shumë institucioneve e për rrjedhojë edhe publikut të gjerë. Topi ritheksoi nevojën e votimit të emigrantëve duke argumentuar këtë me faktin se ata janë të ndjeshëm në distancë për fatet e atdheut. Ata, vazhdoi kryetari i FRD-së duke jetuar në perëndim besojnë në domosdoshmërinë e ushtrimit të  votës dhe po ashtu emigrantët e kanë të lidhur fatin edhe me familjet e tyre në Shqipëri.

Topi i bëri thirrje të rinjve pjesëmarrës në këtë takim të sensibilizojnë të afërmit dhe bashkëmoshatarët e tyre për një pjesëmarrje të lartë në zgjedhje sepse vetëm në këtë mënyrë ngushtohet  mundësia e manipulimit të votës.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)