TIRANE - Sfidat e sotme për Shqipërinë, ndër të tjera, janë martesat mes personave të së njëjtës gjini, fryma nacionaliste dhe integrimi evropian i vendit në Bashkimin Evropian. Me këto konstatime është prezantuar avokati i Popullit, Igli Totozani në konferencën ''Sfidat kryesore të Ombudsmanit në shekullin e XXI'' organizuar nga Grupi i Vishegradit me Ombudsmanët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Poloni.

Duke argumentuar se në një shoqëri demokratike nuk mund të ketë në të njëjtën kohë qytetarë të cilët gëzojnë të gjitha të drejtat dhe nënqytetarë, të cilëve u ndalohet një pjesë e tyre, Totozani theksoi se mbështet e do të vazhdojë të mbështesë përmirësimet legjislative që do të bëjnë të mundur kërkesat e komunitetit LGBT.

Një sfidë tjetër për t’u përballur, sipas Avokatit të Popullit, është edhe nacionalizmi dhe fryma nacionaliste, e cila pavarësisht dëmeve dhe pasojave të tmerrshme në 10 vitet e fundit në Ballkan, duket se ende ka, ose kërkon të ketë terren.

“Kjo frymë rrezikon bashkekzistencën paqësore midis qytetarëve dhe rrezikon të krijojë një atmosferë jo të përshtatshme ndaj minoriteteve kombëtare dhe të drejtave të tyre”, theksoi Totozani.
“Sfida më e madhe sot mbetet padyshim integrimi europian dhe Shqipëria duhet të bëjë të gjitha sakrificat e nevojshme, në mënyrë që sa më shpejt ta gjejë veten, në të mirë të qytetarëve të saj, pjesë të familjes europiane”, vijoi ai.

Avokati i Popullit, Igli Totozani zhvilloi një takim dy palësh me Ombudsmanen e Polonisë, znj Irena Lipowicz, nga ku u ra dakord që në vjeshtën e këtij viti, Ombudsmania e Polonisë, Irena Lipowicz të zhvillojë një vizitë zyrtare në institucionin e Avokatit të Popullit në Tiranë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)