TIRANE -  Avokati i Popullit, Igli Totozani nënshkroi sot dy marrëveshje bashkëpunimi, një me Aleancën Franceze, ku punonjësve të Avokatit të Popullit do t’u jepet mundësia të mësojnë gjuhën frënge dhe një marrëveshje me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, përmes së cilës studentë të këtij departamenti do të kenë mundësinë të bëjnë stazh pranë institucionit të Avokatit të Popullit.
 
E pranishme në këtë aktivitet ishte dhe zonja Cristine Moro, Ambasadore e Francës.
 
Në fjalën e tij Avokati i Popullit Igli Totozani i cilësoi si arritje nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, ndërsa shtoi se mësimi i gjuhës frënge synon rritjen e kapaciteteve të stafit  të institucionit që ai drejton.

“Ne kemi si strategji tonën të punojmë me të gjitha organizatat botërore ku bëjmë pjesë, por sot kam nderin t’u them se Avokati i Popullit është  një institucion mjaft aktiv në Organizatën e Ombudsmanëve Frankofonë (AOMF) dhe ku ka më mirë se njohja e asaj që na lidh të gjithëve bashkë, që është gjuha frënge.” tha Totozani
 
Ndërkohë nga ana e saj ambasadorja Moro vlerësoi rolin e Avokatit të Popullit në demokracinë e vendit , ndërsa shtoi se mbështet punën e bërë nga Totozani

“Institucioni i Avokatit të Popullit për ne është një institucion i rëndësishëm dhe i veçantë për demokracinë shqiptare. Në sistemin demokratik ky institucion shërben si ekuilibër mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore për të mbrojtur qytetarët përballë pushtetit. Unë, Ambasada Franceze dhe Qeveria ime mbështesim institucionin e Avokatit të Popullit dhe zotin Totozani në punën e tij”- përfundoi zonja Moro.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)