TIRANË – Tre ish- të përndjekur politikë, pjesëmarrës në grevën e urisë, shoqërohen rregullisht në komisariatet e policisë sa herë Kryeministri Berisha zhvillon një takim elektoral. Këtë fakt e ka denoncuar Avokati i Popullit, Igli Totozani, që nëpërmjet një shkrese zyrtare ka vënë në dijeni për faktin e provuar edhe prej tij vetë personalisht, Drejtorin e Pëgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

TOTOZANIT NJOFTON BURGAJN, POLICIA MOHON PËRNDJEKJEN

Tek Avokati i Popullit disa herë është paraqitur dhe ka bërë ankesa shtetasi Skënder Tufa. Në letran e Totozanit drejtuar Policisë së Shtetit, sqarohet: " Ankuesi pretendon se, që prej muajit tetor të vitit 2012, ai, sëbashku me shtetasit Fatmir Lloçi, Petrit Lipo dhe Besim Valeri, të gjithë ish- të përndjekur politikë të regjimit komunist dhe pjesmarrës në grevën e urisë të zhvilluar nga ky grupim shoqëror gjatë muajve shtator-tetor 2012, mbahen në vëzhgim 24 orë në 24 nga punonjësit e policisë kriminale të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë.

Gjithashtu ankuesi pretendon se, ai dhe grupimi i tyre ndihen nën presionin e policisë dhe të kërcënuar prej saj, sepse në mënyrë abuzive dhe të paligjshme shoqërohen në komisariatet e policisë Tiranë sa herë që lideri i Partisë Demokratike zhvillon mitingje ose merr pjesë në aktivitete të ndryshme në qytetin e Tiranës.

Avokati i Popullit i ka kërkuar shpjegime Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë lidhur me shkaqet dhe bazën ligjore të mbajtjes në vëzhgim nga policia të ankuesit Skënder Tufa dhe të tre shtetasve të tjerë të përmendur më sipër. Këtë shkresë jua kemi dërguar për dijeni edhe juve.

Megjithëse me vonesë, me shkresën nr. 1690/1 prot., datë 03.04.2013, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë na dërgoi përgjigje lidhur me ankuesit. Nga përgjigja e dërguar, ndërmjet të tjerave, informohemi se ankuesit e përmendur më sipër nuk mbahen në vëzhgim nga strukturat e hetimit të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë.

Ndërkohë edhe ju me shkresën nr. prot. ska, dt. ska, Prill 2013, na dërguat përgjigje lidhur me këtë rast. Nga përgjigjia juaj, të cilën sikurse shpreheni e keni bazuar në informacionin e marrë nga DPQ Tiranë, informohemi se ankuesit nuk mbahen në vëzhgim nga strukturat e Policisë së Shtetit”.

TOTOZANI PROVON TRI RASTE VËZHGIMI TË TUFËS DHE KOLEGËVE

Në vazhdim, në letrën e Totoanit sqarohet: “Ndonëse nga DPQ Tiranë dhe më vonë edhe nga ju nuk pranohet fakti që shtetasit Skënder Tufa, Fatmir Lloçi, Petrit Lipo dhe Besim Valeri janë mbajtur në vëzhgim nga strukturat e DPQ Tiranë apo të Policisë së Shtetit, ju bëmë të ditur se pretendimet e ankuesit për mbajtjen e tij në vëzhgim 24 orë në 24 nga punonjësit e policisë kriminale të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, ishin provuar në tre raste nga stafi i Avokatit i Popullit, ndërsa në njërin prej këtyre rasteve edhe personalisht nga vetë Avokati i Popullit. Ky rast ka ndodhur në datën 01.03.2013, në momentin që ankuesi dhe dy shokët e tij ishin paraqitur në institucionin tonë për të bërë ankesë për këtë shqetësim.

Nga verifikimi i bërë në këtë rast rezultoi se ata mbaheshin në vëzhgim nga dy punonjës të policisë kriminale, të cilët u identifikuan me saktësi nga ana jonë. Avokati i Popullit dhe stafi i tij komunikuan drejtpërdrejtë me të dy punonjësit e policisë, të cilët ndërmjet të tjerave pranuan se ishin ngarkuar nga eprorët e tyre me detyrën e vëzhgimit të ankuesit në mënyrë të hapur gjatë 24 orëve.

Në shkresën e dërguar theksuam se rasti i fundit që nga ana e stafit tonë ishte provuar pretendimi i ankuesit Skënder Tufa për mbajtjen e tij në vëzhgim ka ndodhur në datën 02.04.2013. Në këtë datë, në mesditë, ai erdhi në institucionin e Avokatit të Popullit për të bërë ankesë ndaj policisë lidhur me dërgimin me vonesë, pasi kishte kaluar koha e kërkuar për tubim, të përgjigjes për lejimin e zhvillimit të tubimit nga ana e ish të dënuarve politik. Me të drejtë ankuesi ringriti para punonjësve tanë shqetësimin për mbajtjen e tij në vëzhgim duke i treguar me gisht vëzhguesit. Nga stafi ynë u konstatua se ankuesi mbahej në vëzhgim nga dy punonjës policie civilë, njëri prej të cilëve u afrua deri rreth 10-15m pranë zyrës tonë ku ankuesi hyri, ndërsa tjetri qëndronte në distancë më të largët. Gjithashtu punonjësit tanë konstatuan se vëzhguesit vazhduan ta shoqëronin në distancë ankuesin edhe pasi ai u largua nga zyrat tona” - thuhet më tej në shkresën e Avokatit.

KONKLUZIONET E AVOKATIT TË POPULLIT

Igli Totozani, që i ka kushtuar vëmendje rastit në fjalë, shkruan në fund të letrës se “Në përfundim të hetimit të kësaj ankese arritëm në konkluzionin se, mbajtja në vëzhgim të hapur dhe në mënyrë të vazhdueshme e këtyre shtetasve është e kundërligjshme.

Sikurse rezultoi nga verifikimi i kësaj ankese, ankuesit jo vetëm që janë mbajtur në vëzhgimin pa qënë kriteret ligjore për të aplikuar këtë metodë pune, por në të njëjtën kohë vëzhgimi i tyre është bërë i hapur.

Gjithashtu ju bëmë me dije se, nga verifikimi i disa rasteve të shoqërimit në Komisariatet e Policisë Nr. 1, 2 e 3 Tiranë që kanë bërë muajt e fundit ekspertët tanë kemi arritur në konkluzionin se, shoqërimi në polici dhe në mënyrë të përsëritur i shtetasve Skënder Tufa dhe disa shtetasve të tjerë ish të dënuar politik të regjimit komunist, ishte i kundërligjshëm sepse vinte në kundërshtim me dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit”

Pas dërgimit të rekomandimit tonë, me keqardhje konstatojmë se nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë nuk ka patur asnjë reagim pozitiv për zbatimin e tij. Ndaj, rekomandojmë:

Marrjen e masave të menjershme për ndërprerien e veprimeve të kundërligjshme të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, për shoqërimin herë pas here në polici dhe mbajtjen në vëzhgim të shtetasve Skënder Tufa, Fatmir Lloçi, Petrit Lipe dhe Besim Valeri”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)