Trafikanti: Droga do ngarkohej
në avion, 27 mijë € për pilotin

Trafikanti: Droga do ngarkohej<br />në avion, 27 mijë € për pilotin
TIRANE- Pendohet drejtuesi i automjetit tip “Mitsubishi” që u kap me 460 kile drogë. Saimir Bajrami ka treguar në dëshminë e dhënë para Prokurorëve të Krimeve të Rënda, se lënda narkotike ishte planifikuar të trafikohej në Itali nëpërmjet avionit që u ul në plazhin e Divjakës. Bajrami, ka shpjeguar detaje interesante të këtij grupi që trafikon drogë, duke bërë që dëshmia e tij të kthehet në provën më të fortë, të prokurorisë, kundër anëtarëve të këtij grupi narkotrafiku.

Për shkak të kompleksitetit të çështjes burimet nga prokuroria nuk kanë pranuar të japin shumë detaje rreth emrave që ka treguar në dëshminë e tij, Saimir Bajrami, por ky i fundit ka shpjeguar se sasia e drogës ishte blerë në Itali dhe se piloti italian Giorgio Rifomato, kishte mbërritur në Shqipëri vetëm për të marrë lëndën narkotike. Më tej në dëshminë e tij, Bajrami ka treguar se për transportimin e drogës, drejtuesit e grupit kishin premtuar dhënien si shpërblim të shumës prej 27 mijë euro, para këto që janë kapur nga agjentët e Policisë së Shtetit. Ndërkohë për sa i përket dëshmisë së shtetasit italian Giorgio Rifomato, ku i fundit nuk ka pranuar implikimin e tij në këtë trafik droge, duke pohuar se në Shqipëri ka qënë për turizëm.

Rrëfimi në prokurori
Prokuroria e Krimeve të Rënda për momentin ka të arrestuar vetëm dy korrierë, pasi organizatorët e këtij trafiku sipas tyre ende janë të lirë. Në rrëfimin e Saimir Bajramit, tregohet se grupi kishte hyrë në dialog me pilotin italian që në Itali, dhe se për operacionin e trafikimit të drogës, ai kishte pranuar kundrejt shumës prej 27 mijë euro shpërblim. “Në këtë operacion jam përfshirë dhe unë dhe për këtë kam mbërritur në Rinas në datën 7 maj. Makinën e kam marrë borxh tek një kushëriri im, të cilën më pas e kam ngarkuar me drogë në një magazinë në afërsi të Lushnjës. Në orët e mesditës jam nisur në drejtim të pyllit të Divjakës, ku aty më prisnin dhe dy persona të tjerë, që janë pjesë e grupit.

Kemi qëndruar mes pyllit në pritje të uljes së avjonit, dhe pasi kemi parë afrimin e tij jemi afruar në zonë. Kur vumë re se avioni kishte pësuar difekt jemi larguar me shpejtësi. Gjatë rrugës, më është vënë në ndjekje policia, ndërkohë një pjesë të drogës e kam hedhur në pyll. Makina ka pësuar difekt, dhe aty jam arrestuar nga policia”, ka deklaruar Saimir Bajrami gjatë momentit të marrjes në pyetje. Më tej Bajrami ka sqaruar se 27 mijë euro, do të paguheshin për llogari të pilotit të avionit.

Rrëfimi i italianit
Piloti 67-vjeçar i avionit nuk ka pranuar implikimin e tij në trafikun e drogës me avjon nga Shqipëria në Itali. Sipas tij, ai ka mbërritur në Shqipëri për një vizitë turistike dhe se ditën e djeshme do kryente një fluturim mbi bregdetin e Shqipërisë dhe më pas do kthehej në Bari të Italisë. “Për shkak se avjoni ka pësuar avari gjatë fluturimit kam zgjedhur të ulem në një vend të sheshtë, duke ulur avjonin në plazh. Gjatë uljes është dëmtuar rrota e parë dhe kam mbetur në rërë”-ka deklaruar Giorgio Rifomato. Ky i fundit ka shtuar se nuk ka njohje me shtetasin shqiptar Saimir Bajrami. 

Kontrollohet banesa e prindërve të Bajramit
Pas arrestimit të Sajmir Bajramit ose siç e kishte më parë Bega i ditëlindjes 6 maj 1979, Policia e Durrësit ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e prindërve të tij në lagjen numër 4 në Durrës. Kontrolli është ushtruar menjëherë pas arrestimit të tij në Divjakë. Forca të shumta të Policisë së Durrësit kanë shkuar në banesën prindërve, por siç bëhet e ditur në këto ambiente nuk është gjetur asnjë gjë kompromentuese. Familja e Bajramit kishte ardhur në Durrës në fillim të viteve ’90 dhe mësohet se aty banonin vetëm prindërit e Sajmir Bajramit, nëna dhe babai. Ata ishin nga fshati Mashë e Madhe e Krujës.Nga hetimet është mësuar se prej vitesh 35-vjeçari Bajrami jetonte në Bolonja të Italisë ku ishte dhe i martuar. Ndërkaq makina e bllokuar sipas policisë i përket një kushëriri të të arrestuarit, i cili ishte nga Masha e Madhe.

DJE, PAS KAPJES SE AVIONIT NGA POLICIA

POLICIA SEKUESTRON DOKUMENTET NGA ANTA DHE AVIACIONI CIVIL
Policia sekuestron edhe dokumente nga ANTA dhe Aviacioni Civil në aeroportin e Rinait për të gjithë hyrjet dhe daljet e avionëve gjatë muajve të fundit. Po kështu në aksion e policisë po sekuestrohen edhe të dhënat nga Kullat e Vrojtimit.

AVIONI I ULUR NE DIVJAKE, PRANE GJENDET MAKINA ME 460 KG DROGE
Fillimisht u tha se piloti, i cili tha se ndodhej për herë të parë në Shqipëri, kishte bërë ulje emergjente për shkak të një defekti, dhe se gjatë uljes avioni kishte pësuar dëmtime. Gjatë uljes avioni kishte pësuar dëmtim tek rrotat dhe helika. 

Ndërkaq, disa orë më pas policia arrestoi edhe transportuesin e drogës me automjetin "Mitsubishi", i cili tentoi t'i ikte policisë. Në momentin e arrestimit mësohet se 35-vjeçarit Saimir Bajramit, iu gjetën dhe sekuestruan 27 mijë euro.

Dy të arrestuarit u shoqëruan në komisariat për t'u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar Aviacioni Civil, duke theksuar se avioni i bllokuar në Divjakë ka leje fluturimi në hapësirën shqiptare. Sipas "Albcontrol", “Leja e fluturimit mban nr. 193 dhënë më 05.05. 2014”.

Ndërkaq të dhënat e avionit të ndaluar tregojnë se ai është tip "Piper" Turbo i ndërtuar në vitin 1978, në pronësi "Fox Jet Airlines SRL" e rilicensuar në vitin 2011.​

Akuzat për avionë të përfshirë në trafik droge pikërisht në zonën e Divjakës të bëra nga Partia Demokratike, kanë ngjallur jo pak debate gjatë javëve të fundit.

KRIMET E RËNDA NGRENË AKUZËN PËR 2 TË ARRESTUARIT. NISHANI TAKON LLALLËN
Gjykata e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedim penal për akuzën e “trafikut të narkotikëve e mbetur në tentativë”, dhe ka ngritur akuzën për dy personat e arrestuar.
 
Ndërkaq, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka thirrur në një takim urgjent Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla për t’u informuar lidhur me avionin e bllokuar.
 
Në Divjakë ka mbërritur një Prokuror i Krimeve të Rënda dhe një oficer i policisë, si dhe ka filluar marrja në pyetje e Giorgio Riformato dhe Saimir Bajramit.

ORA 16:15 TAHIRI: PO VERIFIKOJMË NËSE AVIONI KA LIDHJE ME DROGËN
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një deklaratë për mediat ka sqaruar ngjarjes, duke theksuar se avioni ka bërë ulje në plazhin e Divjakës në orën 14:40, dhe se forcat e policisë të mbërritura në vendngjarje kanë konstatuar se avioni ka qenë bosh. Por sipas ministrit, pas rrethimit të zonës nga forcat e policisë është gjetur aty pranë një makinë tip Fuoristradë me targa AA794EU, me 360 kilogramë kanabis.
 
Drejtuesi i makinës ndërkaq, tentoi të arratisej, por sipas ministrit Tahiri ai u kap nga forcat e policisë në pyllin e Divjakës. Drejtuesi i mjetit që transportonte drogën është shtetasi Saimir Bajrami 35 vjeç, i cili prej dy ditësh ishte kthyer në Shqipëri, pasi jetonte në Itali.
 
Në momentin e arrestimit, 35-vjeçarit i janë gjetur 27 mijë euro.
 
Piloti dhe drejtuesi i mjetit janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, ndërsa policia po heton për të zbuluar nëse ka pasur një bashkëpunim mes tyre për trafik droge.
 
Piloti pretendon se kjo është hera e parë që ndodhet në Shqipëri, dhe se avioni kishte pësuar një defekt teknik, gjë që solli uljen në bregdetin e Divjakës. Gjatë uljes avioni kishte pësuar dëmtim të rrotës dhe të helikës.
Ndërsa piloti kishte marrë leje nga Avioni Civil për të fluturuar në hapësirën ajrore shqiptare, duke u nisur ditën e sotme në orën 13:26 nga aeroporti i Rinasit për të fluturuar drejt Italisë.

DEKLARATA E PLOTË E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME SAIMIR TAHIRI
Sot në ora 14:40 një avion i vogël ka bërë ulje në plazhin e Divjakës, ku edhe është dëmtuar duke thyer njërën nga rrotat dhe helikën. Policia e Shtetit ka ndaluar pilotin, i cili është shtetasi italian Giorgio Riformato.
 
Nga hetimet paraprake rezulton që avioni është nisur nga Rinasi në orën 13:26 me leje Nr. 193, lëshuar nga Aviacioni Civil, dhe me destinacion Italinë.
 
Nga të dhënat paraprake, kjo është hera e parë që ky avion ulet në vendin tonë.
 
Avioni është gjetur bosh, ndërkohë që pretendimi i shtetasit Italian është se ka bërë ulje të detyruar për shkak të defektit teknik, gjë që pritet të verifikohet nga hetimet.
 
Paralelisht nga Policia e Shtetit dhe policia kufitare e zonës, së bashku me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, është bërë rrethimi i zonës, ku dhe është identifikuar një makine tip “Mitsubishi” me targe “AA 794 EU” me një ngarkese drogë të llojit hashash, si dhe disa çanta me lëndë narkotike në afërsi të saj.
 
Në vlerësimet paraprake, mendohet të jenë rreth 460 kg kanabis.
 
Sapo jam informuar nga Policia se në këto momente është arrestuar drejtuesi i mjetit, Saimir Bajrami, vjeç 35, të cilit i janë sekuestruar dhe 27.000 euro. Nga të dhënat paraprake, ky shtetas ka jetuar në Itali dhe ka mbërritur në Shqipëri vetëm 2 ditë më parë.
 
Në vijim të hetimeve, Policia e Shtetit do ju informojë më shumë për këtë ngjarje, sigurisht edhe nëse avioni dhe fuoristrada e kapur në atë zone janë pjesë e një tentativë për trafik të paligjshëm.
 
giorgio riformato

(Në foto Ekskluzive: Piloti italian Giorgio Riformato )  Foto të tjera

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja