Trafikuan 1 ton marijuanë me vlerë 3.37 mln euro, SPAK dërgon për gjykim 4 trafikantët që u zbuluan nga përgjimet e Sky Ecc (EMRAT)

TIRANË - Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim 4 persona që merreshin me trafik droge. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan se gjatë një viti ata trafikuan marijuanë me vlerë 3.37 mln euro.

Hetimet, të mbështetura në bashkëpunimin gjermano-shqiptar dhe prova nga platformat e enkriptuara EncroChat dhe SkyEcc, zbuluan një rrjet që trafikonte mbi 1000 kg marijuanë nga Shqipëria dhe Spanja drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së, me vlerë mbi 3.37 milionë euro.

Vetë SPAK njofton drejtuesit dhe financuesit e grupit Islam Sefa (alias Xaka) dhe  Hajdar Lala (alias Xaka, alias Sefa), dy anëtarët Vidjan Baroka dhe Durim Xaka, dhe të tjerë të arrestuar dhe dënuar në Gjermani kanë arritur që vetëm në vitet 2020-2021 të kalojnë për në territorin gjerman dhe më pas e kanë treguar në qytetet Wolsburg dhe Magdeburg dhe vende të tjerë të Bashkimit Evropian.

Është verifikuar se Islam Sefa ka qenë pjesëmarrës në 9 episode trafiku, Hajdar Lala dhe Vidjan Baroka në 4 dhe Durim në 7 episode. Gjatë hetimet SPAK ka bashkëpunuar me autoritetet gjermane, duke u bazuar tek komunikimet e zhvilluara në platformat e enkriptuara, EncroChat dhe SkyEcc. Gjithsej anëtarë të grupit janë identifikuar 12 persona, 8 shqiptarë dhe 4 gjermanë.

Në njoftim SPAK kujdeset të nënvizojë se me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto episode trafiku droge, dosja është ndarë në fraksion dhe vijojnë hetimet.Sefa rezulton i dënuar në Itali në vitin 2021 me 9 vjet e 9 muaj për trafik droge. Ndërsa Hajdar Lala rezulton me masë sigurie arrest me burg, e vendosur një muaj më parë, si një prej anëtarëve të organizatës kriminale të Suel Çelës në Elbasan.

4 të pandehurit e dërguar për gjykim nga SPAK:
Islam Sefa (alias Xaka) - "Trafikim i lëndëve narkotike": Kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal në 9 episode (përpara dhe pas datës 08.04.2020). Roli: Drejtues dhe financues në veprimtarinë kriminale.
Hajdar Lala (alias Xaka, alias Sefa) - "Trafikim i lëndëve narkotike": Kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal në 4 episode (08.04.2020, 30.04.2020, 22.05.2020, 29.05.2020). Roli: Drejtues dhe financues në veprimtarinë kriminale.
Vidjan Baroka - "Trafikim i lëndëve narkotike": Kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal në 4 episode (08.04.2020, 30.04.2020, 22.05.2020). Roli: Ndihmues në veprimtarinë kriminale.
Durim Xaka - "Trafikim i lëndëve narkotike": Kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal në 7 episode (përpara datës 08.04.2020 dhe pas kësaj date, deri më 02.02.2021). Roli: Ndihmues në veprimtarinë kriminale.

Islam Sefa i dyshuar si kapoja e trafikut u arrestua më datë 2 korrik 2024 në një lokal pranë Prokurorisë së Posaçme. Agjentët e BKH-së mësyen në kafenë ku Sefa e kishte lënë për të takuar një avokat, vetëm 100 metra larg SPAK. Ai është gjithashtu vëllai i Bujar Sefës, i cili më 1 korrik 2024 u shpall fajtor dhe u dënua me 10 vite burg për kultivim të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë procedimin penal me Nr. 150 të vitit 2022, në ngarkim të 4 të pandehurve;

1. Islam Sefa (alias Xaka) – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme: 

i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 9 episode (ai para datës 08.04.2020, dhe episodet e datave 08.04.2020, 30.04.2020, 15.05.2020, 22.05.2020, 29-31.05.2020, 02.02.2021, 24.02.2021 si dhe 01.03.2021), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

2. Hajdar Lala (alias Xaka, alias Sefa) – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 4 episode (të datave 08.04.2020, 30.04.2020, 22.05.2020 dhe 29.05.2020), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

3. Vidjan Baroka – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 4 episode (të datave 08.04.2020, 08.04.2020, 30.04.2020, 22.05.2020), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

4. Durim Xaka – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:  

i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 7 episode (ai para datës 08.04.2020, dhe episodet e datave 08.04.2020, 30.04.2020, 15.05.2020, 22.05.2020, 29-31.05.2020 dhe 02.02.2021), 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

Nga tërësia e hetimeve të kryera, bashkëpunimi gjermano-shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe duke u bazuar tek komunikimet e zhvilluara në platformat e enkriptuara, EncroChat dhe SkyEcc, janë administruar prova në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale, të cilat, kanë identifikuar 12 persona, 8 prej të cilëve janë shtetas shqiptarë dhe 4 shtetas gjermanë, të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal të trafikimit të narkotikëve. Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja dhe pasi futej në territorin gjerman tregtohej në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si edhe në shtete të tjera të Bashkimit Evropian.
Nga hetimet ka rezultuar dhe është provuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë viteve 2020-2021 kanë trafikuar në Gjermani, sasinë prej mëse 1000 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë, vlera e së cilës arrin shumën e 3,374,400 (tremilionë e treqindë e shtatëdhjetë mijë e katërqind) euro.

Nga aktet e administruara për këtë procedim penal ka rezultuar dhe është provuar se të pandehurit, Islam Sefa (alias Xaka), dhe Hajdar Lala (alias Sefa, alias Xaka) kanë pasur rol drejtues dhe financues në veprimtarinë e paligjshme kriminale të trafikimi të narkotikëve, ndërsa të pandehurit, Vidjan Baroka dhe Durim Xaka dhe bashkëpunëtorët e tyre të proceduar dhe dënuar në Gjermani, kanë pasur rol ndihmues.

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto episode, është proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 150 të vitit 2022, numërtimin si procedimi penal Nr. 150/1 i vitit 2024, dhe vijimin e hetimeve.

Lajmi ne perditesim...

G.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave