Një 53-vjeçar është arrestuar nga policia në kryeqytet. Kapja e Faik Matmuja, banues në Kukës është në kuadër të operacionit ‘Safe Trip’.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi GJKKO e kishte vënë në masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për disa vepra penale: penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.
'Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.', thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë vijon puna e policisë për kapjen e 45-vjeçarit A.M., me vendqëndrim në Tiranë. Në kuadër të operacionit ‘Safe Trip’ ka shkuar në 20 numri i të arrestuarve.
Finalizimi i këtij operacioni vjen pas një pune 1-vjeçare. Me mbështetjen e SPAK është dokumentuar dhe zbardhur aktiviteti kriminal i një grupi të strukturuar i cili kryente trafikim të personave të rritur dhe dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në hetimet që kanë zgjatur për rreth një vit, pesë subjekte private tregtare u zbulua se siguronin kontrata pune fiktive për shtetas kryesisht nga Bangladeshi dhe vijonin me aplikimin për vizë deri në pritjen e tyre në Rinas dhe e gjitha kjo bëhej përkundrejt pagesës 5000 euro.
SPAK informon se gjatë kontrolleve, janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale, sende të kundraligjshme apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, konkretisht 700.000 (shtatëqind mijë) Dollarë Amerikan, 400.000 (katërqind mijë) Euro, 4 000 (katër mijë) Pound, 520.000 Lekë, 13 makina, 3 pistoleta, aparate celularë dhe pajisje kompjuterike, si dhe dokumenta të ndryshëm si pasaporta të shtetasve të huaj, bileta udhëtimi, apo dokumenta që përmbajnë shënime të grupeve kriminale, si dhe sende të tjera me interes për hetimin.
Ndërkohë vijojnë hetimet për kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.