Autoritetet britanike kanë goditur një bandë kriminale shqiptare me bazë në Londër e cila përdorte kamionë për të për të transportuar emigrantë shqiptarë që hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas policisë britanike, tre anëtarë të grupit, Toni Liko, 42 vjeç, Klement Gjika, 44 vjeç dhe Stelian Bodnariu, 37 vjeç, të cilët kërkonin deri në 11 mijë paund për person, janë dënuar me gjithsej mbi 15 vite burg.
Toni Liko dhe Klement Gjika u dënuan secili me nga 5 vite e 8 muaj burg, ndërsa Stelian Bodnariu me 3 vite e 4 muaj.
Hetuesit e Metropolitan Police zbuluan se gjatë 18 muajve të funksionimit, banda kishte marrë në Londër të paktën 20 shtetas shqiptarë, megjithëse dyshohet se numri real është shumë më i lartë.
Për të çmontuar rrjetin, policia ndoqi lëvizjet e automjeteve, analizoi kamerat e sigurisë në stacionet e shërbimit dhe përdori metoda survejimi për të identifikuar drejtuesit e grupit.
Treshja u arrestua më 18 qershor të vitit të kaluar, ndërsa nga kontrolli i telefonave u zbuluan mesazhe që tregonin koordinimin mes trafikantëve dhe shoferëve të kamionëve për organizimin e transportit.
Inspektori Stuart Jack, që drejtoi hetimin, tha se banda kishte një qëllim të vetëm: përfitimin financiar. Ai paralajmëroi se emigrantët që trafikohen shpesh përfundojnë të shfrytëzuar edhe pasi mbërrijnë në Britani, duke u detyruar të punojnë për rrjetet kriminale.
“Apeloj tek shoferët e kamionëve të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë. Kjo nuk është një krim pa viktima”, tha ai.
Komente











