Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Pogradec, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij, të dyshuar për trafikim kanabisi. 35-vjeçari Adrian Papajanis dhe vëllai i tij me inicialet Fatjon Papajanis, 29 vjeç , trafikonin drogë nga Shqipëria, në drejtim të Maqedonisë së Veriut, duke përdorur liqenin e Ohrit.
35-vjeçari u kap në flagrancë duke tentuar të trafikonte 1 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me një varkë, dy motorra uji tip "Yamaha", dy peshore elektronike, mjete të cilat përdoreshin nga dy vëllezërit në këtë veprimtari të paligjshme.
Nga ana e Policisë, po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve" kryer në bashkëpunim.