TIRANE- Arrestohet paketuesi i drogës që do të trafikohej drejt Italisë me avionin e Giorgio Riformatos. Policia ka vënë në pranga dje, Aurel Pupen, 24 vjeç pasi dyshohet se është personi që ka paketuar lëndën narkotike prej 460 kilogramësh kanabis sativa. Arrestimi i tij është bërë me urdhët të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prangosja e Pupes është bërë në Lushnjë, në banesën e tij në lagjen “20 Tetori”. Arrestimi i tij e çon në tre, numrin e personave të vënë në pranga bashkë me korrierin Saimir Bajrami dhe pilotin italian, Giorgio Riformato. Për Pupen, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte lëshuar edhe urdhër-arrestin me burg.
 
GJURMËT E GISHTËRINJVE
Me të sekuestruar lëndën narkotike, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar një hetim të hollësishëm, duke bërë një vështrim daktiloskopik edhe për pakot e mbushuara me kanabis sativa. Gjatë këtij procesi, burime nga prokuroria kanë bërë të ditur se janë gjetur rreth 11 gjurmë të ndryshme gishtash. Disa prej gjurmëve të gishtërinjve, 3 prej tyre i përkisnin Aurel Pupes, i cili është vënë në pranga si paketues. Bëhet e ditur se, janë duke u kërkuar edhe disa persona të tjerë të dyshuar që janë pjesë e këtij grupi kriminal, që merrej me trafikun e lëndëve narkotike.
 
HETIMET E PROKURORISË
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur deri tek paketuesi i marijuanës që do trafikoheshin me avion nga Divjaka për në Itali, por ende nuk kanë rënë në gjurmët personave që e kanë shituar atë  korrierit Bajrami. Por dyshohet se Aurel Pupe mund të jetë edhe pronari i kanabisit që më pas ja ka shitur të arrestuarit Sajmir Bajrami. Burime nga uniformat blu të Lushnjes kanë bërë të ditur se, Aurel Pupe, nga lagjja “20 Tetori” në Lushnjë, është arrestuar në bazë të një urdhër arresti të Krimeve të Rënda, si personi që ka paketuar drogën pasi sipas burimeve, në mbështjelljet e natribanit janë fiksuar gjurmë të gishtërinjve të tij. Arrestimi është ekzekutuar në fundjavë, por është mbajtur sekret si nga Policia, edhe nga Prokuroria.
 
DËSHMIA KONTRADIKTORE
Rrëfimi i Saimir Bajramit, përballë prokurorëve, personit që priste të ngarkonte marijuanën në avionin e Giorgio Riformatos duket se nuk ka qenë i saktë. 460 kilogramët e hashashit duket se nuk janë blerë në Krujë, siç kishte thënë ai në dëshminë e tij, por janë marrë në Lushnjë. Gjatë dëshmisë së parë, Bajrami kishte deklaruar se, kanabisin dhe makinën i kishte marrë në Krujë, por gjetja e gjurmëve të gishtërinjve kanë bërë prokurorinë që të dyshojnë për dëshmitë e dhënë prej tij. Për këtë arsye, pritet që të merren dhe një herë deklarimet e Sajmir Bajramit.
 
RRËFIMI I PUPES
Pas marrjes në pyetje dhe krahasimit të shenjave të gishtërinjve, ky person ka pranuar se ka paketuar lëndën narkotike me natriban. Por, Aurel Pupe nuk ka dhënë emra të tjerë me të cilët ka shitur lëndën narkotike, por në natriban prokuroria ka veçuar gjurmë të tjera gishtërinjsh dhe pritet të ketë arrestime të tjera. 24-vjeçari, banues i lagjes “20 tetori“ në Lushnjë, pas arrestimit ka pranuar se është njëri nga paketuesit e drogës, që i është shitur më pas Saimir Bajramit. Rrëfimi i Pupes vë në dyshim deklarimin e Bajramit, i cili tha se lëndën narkotike e kishte blerë në Fushë-Krujë.


Shkrimi u përditësua në 28 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)