GJIROKASTER- Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës ka rënë në gjurmët e një rrjeti të trafikut klandestin duke ndaluar gjashtë shtetas sirianë. Ata ishin nisur nga Athina për të kaluar përmes Shqipërisë drejt Malit të Zi dhe mendohet se destinacioni përfundimtar janë vendet perëndimore. I gjithë ky rrugëtim do bëhej kundrejt 1500 eurove për person. Në orët e pasdites së të dielës, në aksin rrugor Gjjirokastër- Tepelenë në një automjet tip Ford me targa të huaja që drejtohej nga shtetasi Grigor Sulaj po udhëtonin tre shtetas nga Siria.

 Pas ndalimit të tyre, operacioni ka vijuar edhe në aksin rrugor Gjirokastër- Jergucat ku në afërsi të fshatit Grapsh janë kapur edhe tre shtetas të tjerë sirianë të cilët po udhëtonin në këmbë në drejtim të Gjirokastrës pasi kishin kaluar nga poshtë postobllokut të policisë. Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit sirianë kanë hyrë nëpërmjet kufirit jeshil dhe për t’ju shmangur postoblloqeve të Policisë në Jergucat dhe në Ujin e Ftohtë Tepelenë. Ata janë ndihmuar që në Athinë nga një shtetas nga Tepelena, i cili i ka ndihmuar të hyjnë në Shqipëri dhe më pas i ka hipur në automjetin tip Furgon për t’i transportuar në Tiranë.

Policia ka bërë prangosjen e drejtuesit të mjetit Grigor Sulaj për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Policia thotë se janë shpallur në kërkim dy shtetas një nga Tepelena dhe një shtetas nga Tirana, pasi dyshohet se ata organizojnë dhe zhvillojnë trafikun e shtetasëve të huaj Marokenë, Sirianë, Algjerinë, e Palestinezë nga Athina në Shqipëri e më pas në Malin e Zi , kundrejt vlerës 1500 euro për person.
(dm/shqiptarja.com)