Një tragjedi e rëndë ka tronditur shtetin amerikan të Miçiganit, ku tetë anëtarë të së njëjtës familje janë gjetur të vdekur brenda banesës së tyre. Mes viktimave janë gjashtë fëmijë, ndërsa autoritetet thanë se disa prej trupave kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Ngjarja u zbulua të premten, pasi shërbimet e emergjencës morën një telefonatë për zjarr në një banesë. Kur zjarrfikësit hynë në shtëpinë e mbushur me tym për të shuar flakët, u përballën me një skenë tronditëse, duke gjetur trupat e pajetë të tetë personave.
“Ekipet hynë në banesë për të luftuar zjarrin. Kur u futën brenda, panë se kishte disa persona të vdekur. Disa prej viktimave kishin plagë nga armë zjarri”, tha gjatë një konference për mediat kapiteni Jacob Sparks.
Sipas autoriteteve, viktimat janë dy të rritur dhe gjashtë fëmijë, të moshës nga 5 deri në 15 vjeç. Emrat e tyre nuk janë bërë ende publikë.
Hetuesit nuk kanë dhënë ende një version për atë që mund të ketë ndodhur. Ata kanë theksuar se hetimet janë në fazë fillestare dhe se nuk duan të nxjerrin përfundime të parakohshme. Për momentin, policia ka bërë të ditur se nuk po kërkon asnjë të dyshuar jashtë banesës.
Në hetime është përfshirë edhe njësia e policisë së shtetit të Miçiganit që merret me rastet e zjarreve. Sipas autoriteteve, zjarri dyshohet se ka nisur brenda shtëpisë, por ende nuk dihet shkaku i tij dhe as vendi i saktë ku ka shpërthyer.
Autopsitë e viktimave pritet të kryhen gjatë fundjavës dhe hetuesit shpresojnë se rezultatet e tyre do të ndihmojnë në sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.
Komente









