TIRANË- Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet ku një 16 vjeçar ndërroi jetë pasi humbi ndjenjat teksa po shihte një ndeshje basketbolli.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, kur i mituri që po shihte ndeshjen e basketbollit humbi ndjenjat dhe ra përtokë. Më pas ndërroi jetë në spital.
Dyshohet se 16 vjeçari ka pësuar arrest kardiak. Në rrjetet sociale moshatarët e të miturit që kanë parë ngjarjen e rëndë shkruajnë se ambulanca u vonua 15 minuta për të mbërritur.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit tronditës.