Tragjedia e 9 Janarit, familjarët kërkojnë drejtësi

12 vjet pas tragjedisë së 9 janarit, familjarët e viktimave bëjnë homazhe në qytetin bregdetar të Vlorës.
 
 “Fëmijët tanë janë vrarë në mes të detit me plumba dhe qeveria e asaj kohe e dinte këtë”.  Kjo është akuza që kanë ripërsëritur familjarët e të ndjerëve që kërkojnë drejtësi prej vitesh.
 
Por shpresa e tyre ende nuk është shuar, pasi besojnë se qeveria do ta ketë në vëmendje duke punuar për zbardhjen e ngjarjes.
 
Familjarët e viktimave i kanë drejtuar një peticion kreut të ekzekutivit si dhe Presidentit të Republikës për zbardhjen e kësaj ngjarje tragjike.
 
Mbrëmjen e 9 janarit 2004 në bordin e gomones së nisur nga porti i Vlorës drejt Italisë, ishin vendosur 36 refugjatë shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë.
 
Por për shkak të motit të keq dhe dallgëve të mëdha, gomonia u mbyt duke gjetur vdekjen 28 persona nga 36 që ishin në të, 8 prej tyre ende nuk janë gjetur trupat.
 
Viktimat ishin kryesisht nga Shkodra e Lezha.

Familjarët e viktimave kane siguruar një deklaratë të shefit të Krimeve të asaj kohe, Sokol Bizhga, në të cilën citohet se në orën 06:30 të mëngjesit të datës 10 janar 2004, në gjirin e Dafinës është gjetur nga një anije shqiptare një gomone me 8 trupa të pajetë në bord.

Po sipas kësaj deklarate, gomonia e gjetur është rimorkiuar nga anija shqiptare dhe destinacioni i saj akoma nuk dihet. Ata këmbëngulin se kjo dëshmi tregon se në tragjedinë e 9 janarit kanë qenë së paku 2 gomone me njerëz dhe jo një siç deklarohet nga organet e drejtësisë.
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD te Bashkia e Tiranës, Policia njofton masat dhe rrugët që bllokohen sot! Koha dhe itinerari që duhet të ndjekin shoferët