TIRANE- Një shqiptar 43-vjeç i dënuar në vendin e tij për trafik të qënieve njerëzore dhe vrasje të shumfishtë u arrestua nga karabinierët e zonës së Udines në rrugën "Rizzi" në periferi të qytetit Friulano. I arrestuari ndodhej në Udine te disa miq të tij shqiptarë banues në Friulano. Pas hetimeve të zgjatura të veprimtarisë së tij, ai u kap pa dokumenta. 43-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Vlorës sepse konsiderohet përgjegjës për vdekjen e 21 emigrantëve klandestinë në 9 janar 2004 në detin Adriatik gjatë transportit nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas policisë i arrestuari është Cukal Delia. Policia italiane bën me dije se Delia ishte në kërkim ndërkombëtar sepse është dënuar me 25 vjet burg. Të njëjtat burime sqarojnë se 43-vjeçari Delia ishte përfshirë në një organizatë të gjerë kriminale gjatë vitit 2000, e cila ka transportuar qindra emigrantë klandestinë nga Shqipëria drejt Italisë. Ndërkohë për tragjedinë e 9 janarit janë dënuar si përgjegjës 5 persona. Nazmi Hykaj, me 25 vjet burg, Cukal Delija, 25 vjet burg, Zef Marku, 25 vjet burg, Elton Tafili, 20 vjet burg dhe Altin Belulaj, 20 vjet.
TRAGJEDIA
21 persona u mbytën dhe 8 rezultojnë të zhdukur në tragjedinë e 9 janarit. Një gomone me 36 persona në bord u nis nga gjiri i Palasës në Vlorë në orët e vona të natës drejt brigjeve të Italisë në 9 janar 2004. Për shkak të dallgëve që shkonin 5-6 ballë gomonia pëson defekt në ujrat e Gadishullit të Karaburunit. 36 klandëstinët kryesisht nga Shkodra kishin paguar 1500 euro secili për të shkuar në Itali. Pasi kanë bërë 12 milje udhëtim motorrët e gomones u fikën dhe mjeti u mbush me ujë. Vetë skafistët të gjetur pa rrugë zgjidhje telefonuan në një nga televizionet shqiptare dhe kërkuan ndihmë. Operacioni i shpëtimit ishte i vështirë për shkak të detit të trazuar dhe mungesës së koordinatave të sakta të vendodhjes së gomones. Disa herë u nisën anije shpëtimi nga Karaburuni por nuk arritën te vendodhja e gomones. 21 persona humbën jetën ndrërkohë që vetëm 9 persona mbijetuan. Të mbijetuarit ishin tre skafistët që drejtonin gomonen dhe 6 emigrantë që kishin paguar për të shkuar në Itali. Ndërhyrja për ti shpëtuar u arrit në orën 09:40 të mëngjesit të datës 10 janar nga një anije e Guardia di Finanza-s nisur nga ishulli i Sazanit. Forcat e shpëtimit nxorën 21 trupa të mbytur, 9 të mbijetuar ndërkohë që 8 persona ende figurojnë të zhdukur.
(sg/shqiptarja.com)