Zviceranët thonë: “Ashtu si ne ju kërkojmë juve të paguani, edhe ju mund të na kërkoni neve të paguajmë”. Fjalë, thuajse të sakta, që duket se e mbyllin çështjen e zjarrit në Crans, 41 të vdekurit dhe 115 të plagosurit, si “një aksident i zakonshëm, për të përdorur përmbledhjen ende të tronditur të ambasadorit tonë në Bernë, Gian Lorenzo Cornado. Pa dyshim, parë nga ana zvicerane, e gjithë kjo çështje shumë e ndërlikuar tani ngrihet ndjeshëm në nivel. Por duke marrë parasysh këtë qasje të tyre “burokratike dhe jo etike”, për t’iu kthyer edhe një herë asaj që thekson diplomati i Corriere della Seraa, një marrëveshje mes dy vendeve nuk duket aspak në horizont.
Risia e së shtunës është se kërkesa ndaj Italisë për të paguar shpenzimet e shtrimit në spital, po flasim për vetëm disa orë, të të rinjve tanë të djegur pas zjarrit në Constellation nuk vjen vetëm nga Kantoni i Valisit, siç mendohej deri tani. Për të ripohuar vullnetin për të arkëtuar ato 108 mijë euro, një shifër që pritet të rritet kur llogaritjet të përfshijnë të gjitha shtrimet dhe jo vetëm katër rastet që njihen deri tani, është edhe një shënim zyrtar e Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore (UFAS), që varet nga Departamenti Federal i Brendshëm zviceran. Pra, qeveria kombëtare.
Dispozitat mbi asistencën e ndërsjellë ndërkombëtare në fushën e përfitimeve, thuhet, zbatohen edhe për viktimat e zjarrit” të natës së Vitit të Ri.
Çfarë do të thotë saktësisht kjo fjali e shpjegoi në mbrëmje Doris Bianchi, drejtoreshë e të njëjtës zyrë federale, gjatë një diskutimi në RSI (televizioni i Zvicrës italiane) me Cornadon. E qetë, ajo përsëriti në një moment të njëjtat fjalë tronditëse, ato që kryeministrja Meloni i cilësoi si “një kërkesë e turpshme”, të thëna të premten nga presidenti i kantonit Mathias Reynard.
“Po, më vjen keq për faturat që iu janë dërguar gabimisht familjeve italiane, por marrëveshjet evropiane duhet të respektohen: pres që Ministria e Shëndetësisë e Italisë të paguajë shpenzimet e të rinjve të shtruar në spitalet zvicerane”. Më pas shtoi, sikur të ishte gjëja më normale në botë: “Pres që ministria juaj e Shëndetësisë t’i dërgojë LAMal-it”, sigurimit zviceran, një fondacion privat, “shpenzimet e shtrimit të pacientëve zviceranë në Itali”, atyre të shpëtuar në Niguarda.
Ambasadori natyrisht ka tundur kokën. Dhe më pas ka përsëritur për Corriere: “Nëse këto janë marrëveshjet, atëherë Italia heq dorë prej tyre: nuk do t’i faturojmë shpenzimet e dy të rinjve zviceranë të shtruar tek ne dhe presim që edhe Berna të bëjë të njëjtën gjë”.
Jehona e polemikës ka mbërritur natyrisht edhe te familjet e viktimave përtej kufirit. “Është skandal”, shpërthen Michel Pidoux, babai i Trystanit, 17-vjeçarit të vdekur në zjarr. “Zvicra ende nuk ka kuptuar se kjo nuk është një çështje lokale, por një dramë europiane. Ai faturim i paraqitur nga shteti ynë është thjesht burokraci e ftohtë pa dinjitet”. Michel, që punon në fushën e marrëdhënieve me publikun, është njeriu që një ditë pas tragjedisë improvizoi një konferencë shtypi, duke veshur një bluzë blu, ku falënderoi qeverinë italiane për atë që po bënte. Në Luzernë ka organizuar një koncert bamirësie për viktimat që u mbajt të enjten. Në sallë, qindra persona, përfshirë Cornadon dhe bashkëshorten e tij. Në skenë, Riçardo Coçiante. “Më emocionoi kur tha se kishte kënduar për të kujtuar ata që nuk janë më”, tregon sipërmarrësi.
I zemëruar, Pidoux flet për “një rreth personash me ndikim në Valis që po mbështesin financiarisht Jacques dhe Jessica Moretti, pronarët e Constellation dhe mes 11 të hetuarve për vrasje, zjarrvënie dhe lëndime nga pakujdesi, duke u përpjekur të rihapin restorantin e tyre në Lens, tani të mbyllur. Do të ishte një fyerje”. Sa i përket Corsos, ai do të merret sërish në pyetje më 5 qershor. Për të shmangur pyetjet e prokurorëve të parashikuara më 10 prill, ai dorëzoi një raport mjekësor duke pretenduar “probleme shëndetësore”. Por atë ditë kamerat e Porta a Porta e filmuan duke bërë punime në muret e Vieux Chalet./Corriere
Komente







