Tragjedia në Himarë, i jepet
lamtumira viktimave, 3 studente rëndë

Tragjedia në Himarë, i jepet <br />lamtumira viktimave, 3 studente rëndë
HIMARE/TIRANE – Shqipëria mban sot zi kombëtare për humbjen tragjike të 13 studentëve, ndërsa u plagosën 26 të tjerë, pjesë e ekspeditës gjuhësore të studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan të cilët udhëtonin me autobus nga Vlora drejt Himarës. Aksidenti ndodhi dje pasdite në orën 16: 15 minuta dhe viktimat janë 11 vajza, dhe 2 meshkuj, mes të cilëve shoferi i autobusit. Mjekët e Spitalit Ushtarak bëjnë të ditur se 11 studente ndodhen në gjendje të rëndë në reanimacion. Në gjendje më kritike, është Florie Peçi. “Studentja ndodhet në koma dhe jeta e saj varet në fije të perit”- bënë të ditur burime nga Spitali Ushtarak për TV A1 REPORT. Në gjendje të rëndë janë dhe tre studente të tjera, ndërsa më e stabilizuar paraqitet shëndeti për 7 studente.

ORA 21:42 - RONA NISHLIU: KENGEN JA DEDIKOJ TRAGJEDISE
Këngëtarja kosovare Rona Nishliu që prezantoi Shqipërinë sonte në Eurovizion, tha në një intervistë për RTK para festivalit se këngën ia dedikonte tragjedisë së Himarës. “Në rradhë të parë dua të shpreh ngushëllimet për familjarët e viktimave. Një tragjedi që na ka goditur të gjithëve, madje jashtëzakonisht shumë edhe mua sonte më vështirëson këtë përgjegjësi që kam”. “Jemi të ndikuar dhe të prekur nga ajo që ka ndodhur – tha Rona në linjë telefonike nga Azerbajxhani – Bashkarisht këtë performancë do ja dedikojmë situatës”.
Ndërsa pas performancës së saj, Rona ka shpërthyer në lot dhe e emocionuar ka dalë me nxitim nga skena e Eurovizionit. Performanca e saj duket se është pëlqyer shumë nga spektatorët që e kanë shoqëruar dy tre herë atë me duartrokitje. Këto të fundit kanë qenë shumë më të forma në përfundim të këngës.

ORA 21:23 - STUDENTET E VLORES DHUROJNE GJAK PER KOLEGET E PLAGOSUR
Nevojës për të dhuruar gjak ditën e sotme i janë përgjigjur edhe studentët e Universitetit të Vlorës, kryesisht ata të departamentit të Gjuhë-Letërsise. Të kryesuar nga Rektori Albert Qarri dhe pedagoge të këtij universiteti, të rinjtë kanë vizituar edhe studentët që mjekohen aktualisht në spitalin e qytetit. Rektori i Universitetit të Vlorës ka theksuar faktin që ky institucion, stafi i tij dhe studetët kanë ndjekur ngjarjen hap pas hapi, duke shprehur urimet për shërim të shpjetë të të lënduarve të kësaj tragjedie. Ai ka shprehur dhe ngushëllimet për familjet e viktimave të këtij aksidenti.

ORA 20:01 - FRESSH QIRINJ PERBALLE POLITEKNIKUT

Në nderim të tragjedisë së Himarës, është shtuar edhe Forumi Rinor Eurosocialist FRESSH. Anëtarët e FRESSH janë bashkuar në sheshin Nënë Tereza duke kryer homazhe për viktimat dhe për dhimbjen e familjarëve e të afërmve të viktimave. Ngushëllimet anëtarëve të FRESSH janë shprehur në heshtje duke ndezur qirinj përballë Universitetit Politeknik të Tiranës.

ORA 19:09 - SPITALI USHTARAK: 9 NE TERAPI INTENSIVE, 3 RENDE

Mjeku Rasim Madani i Spitalit Ushtarak në Tiranë njoftoi pak minuta më parë se aktualisht në këtë strukturë po trajtohen 14 studente, prej të cilave 9 janë në terapi intensive. Nga këto të fundit, sipas mjekut Madani, 3 janë në gjendje edhe më të rëndë dhe janë të intubuara. Bëhet fjalë për dy vajza që janë operuar dje dhe atë të operuar sot. Njëra është në gjendje kome.
Madani tha se gjendja e tyre duket e stabilizuar dhe nëse situata do të përmirësohet të plagosurat në gjendje të rëndë do të dërgohen për kurim jashtë.
Duke folur për të plagosurat në përgjithësi, mjeku tha se ato kryesisht paraqesin raste frakturash të ndryshme. Pesë janë jashtë rrezikut për jetën, tha Madani.

ORA 18:41 - BARROSO NGUSHELLON TOPIN

“Mësova me trishtim për aksidentin rrugor tragjik i cili ndodhi dje pranë himarës ku humbën jetën 13 veta dhe shumë të tjerë u plagosën.
Në emër të Komisionit Evropian dhe në emrin tim personal, më lejoni t'ju përcjell ngushëllimet tona të sinqerta dhe shprehjen e simpatisë sonë më të madhe si dhe solidaritetin me familjet e të gjithë viktimave.
Ju lutem pranoni, i dashur Z. president, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”.
Është ky mesazhi ngushëllues që presidenti i BE, Manuel Barroso, i ka dërguar Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

ORA 17:50 - BERISHA NE SPITALIN USHTARAK: KURIM JASHTE

Kryeministri Berisha vizitoi pasditen e sotme studentet e plagosura që ndodhen në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ai tha se ministri i Shëndetësisë ka nisur të kontaktojë klinika të huaja jashtë vendit dhe sapo kushtet e pacienteve ta bëjnë të mundur, ato do të dërgohen për kurim në vende të ndryshme. Punën e mjekëve të Spitalit Ushtarak ai e cilësoi si “të jashtëzakonshme”. Ata kanë “realizuar ndërhyrje nga më të komplikuarat për të shpëtuar jetët e vajzave”.

“Shpreh bindjen se çdo shqiptar kudo që është lutet për to, sikundër garantoj prindërit që qeveria do të bëjë gjithçka për t’u dhënë atyre ndihmën më të specializuar”, tha Kryeministri që edhe këtu u shfaq i prekur përpara gazetarëve.

Sipas tij, “operacioni emergjencës, i ndihmës, ka qenë në shkallën më të lartë të organizimit. Ministri i Shëndetësisë ka drejtuar që nga fillimi deri në fund këtë operacion”.

ORA 17:22 - GJYKATA E LARTE NGUSHELLON FAMILJET E VIKTIMAVE

Kryetarja e Gjykatës së Lartë Znj. Shpresa Beçaj dhe Trupa Gjyqësore, “shprehin ngushëllimet e sinqerta familjarëve të viktimave të aksidentit” të Himarës. “Në këtë ditë zie, për të gjithë vendin, Gjykata e Lartë bashkohet me dhimbjen dhe humbjen e thellë që pësuan familjarët e studenteve të Universitetit Aleksander Xhuvani. Ky mesazh ngushëllimi, është gjithashtu një mbështetje shpirtërore edhe për studentet e plagosura dhe familjarët e tyre, të cilat ndodhen të shtruara për kurim nën kujdesin e specializuar të mjekëve”, thuhet në një njoftim për shtyp.
“Sot, e gjithë Trupa Gjyqësore e Gjykatës së Lartë, ndodhet pranë familjeve të studenteve që humbën jetën tragjikisht, në një moshë fare të re. Ne shprehim edhe njëherë solidaritetin njerëzor dhe institucional, duke ngushëlluar thellësisht zemrat tuaja të lënduara. Njëkohësisht urojmë shërim sa më të shpejtë studentëve të plagosur”, përfundon komunikata.

ORA 16:07 – BERISHA HOMAZHE NË ELBASAN: LUTEM PER TE PLAGOSURIT

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë në homazhet e zhvilluara në qytetin e Elbasanit në nderim të 7 viktimave nga ky qytet në aksidentin e djeshëm në Himarë. Kryeministri ndërpreu vizitën e tij në SHBA dhe në orën 14.30 minuta ka mbërritur në aeroportin e Rinasit. Pasi është njohur me ngjarjen dhe detajet e aksidentit, kryeministri ka udhëtuar drejt Elbasanit, qytet i cili ka pësuar edhe humbjet më të mëdha njerëzore gjatë aksidentit në Himarë. 6 studentet dhe drejtuesi i mjetit ishin banorë të këtij qyteti.
“Të gjejmë të gjithë forcën për të përballuar këtë dhimbje të tmerrshme. I lutem Zotit që të plagosurit të shërohen sa më shpejtë, sikundër i garantojmë që do të bëjmë gjithçka që plagët e tyre të mbyllen sa më mirë. Edhe një herë ngushëllimet më të thella familjeve të këtyre vajzave të mrekullueshme”, tha Kryeministri Berisha përpara gazetarëve në ambientet e Universitetit të Elbasanit ndërsa më pas u përlot dhe ndërpreu prononcimin e tij.


ORA 15: 27 - MJEKU: FLORIJE PECI NE KOMA, POR ME MIRE SE DJE

Mjeku Fatos Olldashi tha pak më parë përpara gazetarëve se operacioni i Florije Pecit, që konsistonte “në përpunimin e një plage që ndodhet në shtyllën kurrizore” kishte përfunduar. Studentja ka pësuar “dëmtime të kockave dhe një pjesë të nervave”, tregoi mjeku.
Olldashi tha se rezultatet e operacionet do të shikohen kur pacientja të zgjohet pasi aktualisht ajo është në gjendje kome. Ajo ka edhe dëmtime në kokë dhe në gjoks. “Në këtë moment nuk mund të themi që është jashtë rrezikut për jetën”, tha mjeku, duke shtuar gjithsesi se gjendja e saj është “më mirë se dje”.
Duke folur mbi situatën e të plagosurve të tjerë, ai u shpreh se “e përgjithshmja është mirë” por “nuk mund të themi që janë krejt jashtë rrezikut”. Sipas tij, dy nga studentet e plagosura janë në gjendje më të rëndë se të tjerat.

ORA 13:16 – BE: NDAJMË DHIMBJEN ME SHQIPTARËT

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, së bashku me Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri, shprehin ngushëllimet lidhur me aksidentin e djeshëm rrugor në Himarë. “Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, së bashku me Shefat e Misioneve te Bashkimit Evropian në Shqipëri, dëshirojnë t'u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave të aksidentit rrugor tragjik që ndodhi dje në Himarë. Dëshirojmë t'u shprehim simpatinë tonë më të ndjerë atyre që kanë humbur të dashurit e tyre dhe t'iu urojmë të plagosurve shërim të plotë dhe të shpejtë", thuhet në deklaratën zyrtare të zyrës së BE në Tiranë.


ORA 13: 10 MIHAJ: FLORIE PEÇI DO I NENSHTROHET OPERACIONIT

Drejtori i Spitalit Ushtarak Bedri Mihaj deklaron se Florie Peçi pritet ti nënshtrohet një operacioni të dytë në shtyllën kurrizore.Gjëndja shëndetësore e Florie Peçit është më kritike, në krahasim me studentet e tjera 

Ora 13:00 TOPALLI: JAM E PREKUR, MENDIMI YNE PER VIKTIMAT
Kryetarja e Kuvendit Topalli vizitoi të plagosurit në Spital Ushtarak. E prekur nga fatkeqësia Topalli tha se gjëndja shëndetësore e studente ishte më mirë në krahasim me ditën e djeshme. Ajo falenderoi mjekët, pilotët dhe infermierët për punën e tyre ndërsa u shpreh se “Mendimi jonë është për viktimat dhe familjet e tyre. Dua të falënderoj mejkët dhe infermierët për sakrificën
“Jam e prekur. Vajzat dje shkuan te udhëtimi që do të ishte udhëtimi më i bukur, por u kthye në fatal. Jame e prekur, falënderoj zotin që kanë shpëtuar janë me shpresa të mëdha. Më prekën shumë nënat që prisnin në spital. E rëndësishme është që ata janë të stabilizuara dhe nuk ka krahasim me atë që pamë dje.”
Kryetarja e Parlamentit falenderoi mjekët e Spitalit Ushtarak, mjekun e Himarës si dhe pilotët. “Mendimi jonë është për viktimat dhe familjet e tyre.”

ORA 12:30 – POLICIA RRUGORE: JA DETAJET E AKSIDENTIT
Drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit ka zbardhur disa detajeve të aksidentit tragjik rrugor të pasdites së të hënës në aksin Sarandë Vlorë.
Në një deklaratë për median, drejtori i përgjitshëm i qarkullimit rrugor, Vullnet Topallaj bëri të ditur se mjeti ka rënë nga një lartësi prej 60 metrash. Grupi i punës, i ngritur pak minuta pas tragjedisë ka nisur hetimet. Sipas Topallajt, në bazë të hetimeve paraprake, aksi ku ka lëvizur autobusi ka qënë i pajisur me sinjalistikën e duhur rrygore, me mbrojtëse dhe ndricues fosforeshentë. Sipas tij, rruga ka qenë e thatë dhe pa mbetje.
Kreu i policisë rrugore bëri të ditur se shoferi i mjetit, Pëllumb Çela, i cili ka humbur jetën ëhtë pajisur me lejen e drejtimit të automjetit të klasit D në vitin 1999. Leje e cila është rinovuar deri në vitin 2014. Sa i takon automjetit, sipas Topallajt, atij i është bërë kontroll fizik në 26 prill të këtij viti.


ORA 13: 30 NGATERROHEN ARKEMORTET

Një ngatërresë në morg bëri që arkëmorti i Erjola Xhoit të shkonte në familjen e Doriana Stafës në Krujë. Ndërsa arkëmorti i Doriana Stafës në familjen Xhoi në Elbasan.

ORA 11: 05 VASILI: DY STUDENTE NË GJËNDJE TË RËNDË

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili deklaron se 2 studente janë në gjendje të rëndë shëndetësore. “Rastet paraqiten në në gjendje të qëndrueshme. Besoj se për një pjesë të mirë ka kaluar natë e vështirë por një ecuri pozitive. Mbetet problematike dhe serioze, dy vajza trauma e të cilave kjanë qenë të gjera. Parametrat mbahen në mënyrë të qëndrueshme. Përgjithësisht mund të thuhet se nga 25 të plagosurit konkludohet se 2 janë në një gjendje tepër të vështirë. Edhe në Vlorë të plagosurit i kanë kaluar rrezikut për jetën. Janë me frymëmarrje të drejtuar. Transporti jashtë është i pamundur. Ata mbahen në jetë nëpërmjet aparaturave.”
Lidhur me shifrën e 14 viktimave, Vasili tha se shifrat që jep ministria e Brendshme janë të sakta dhe mbrëmë ndodhi një moskoordinim i vogël.

ORA 10: 41 – REKTORI LIMANI: SHOFERI ME EKSPERIENCE, KOMPANIA E LICENSUAR

Rektori i universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi ka deklaruar sot se gjithcka po thuhet për kompaninë e kontraktuar nga universiteti janë spekullime.
“Autobuzi i shoqërisë “Llixha 2001” ka qenë në gjendje të mirë. Shoferi ishte njeri me përvojë dhe i preferuar nga studentët, të cilët udhëtonin shpesh me të”, ka thënë Limani sot paradite. Rektori tha se ceremonia e lamtumirës për viktimat në Elbasan do të mbahet në orën 15.30.


ORA 10: 20 – AMBASADA AMERIKANE: NGUSHËLLIME PËR HUMBJET
Ambasadori Arvizu dhe i gjithë personeli i Ambasadës së SHBA në Tiranë dëshirojnë të shprehin hidhërimin e tyre të thellë dhe ngushëllime të sinqerta për ata që humbën njerëzit e tyre të dashur në aksidentin tragjik që ndodhi dje afër Himarës. Për të gjithë ata që i mbijetuan aksidentit, mendimet dhe lutjet tona janë për shërimin tuaj të shpejtë.

ORA 10:00 BERISHA NDËRPRET VIZITËN NË SHBA

Kryeministri Berisha ka anuluar takimet e parashikuara gjatë vizitës së tij në Çikago dhe po kthehet në atdhe. Zyra e shtypit e kryeministrisë ka bërë të ditur se kryeministri do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 14 dhe menjëherë do të udhëtojë drejt Elbasanit për të vizituar familjet e viktimave. Është parashikuar që në orën 15.30 kryeministri të jetë në qytetin më të goditur nga tragjedia e pasdites së djeshme ku me 13 viktimave, 7 prej tyre ishin nga ky qytet.

Ora 09: 48 STUDENTET NE REANIMACIONIN E SPITALIT USHTARAK

Në Spitalin Ushtarak në reaminacion ndodhen  Elda Baka, Briselda Gubere, Shegushe Haka, Griselda Zeneli, Dorjana Kumria, Antonta Tace, Florie Peci, Kaltra Pollozhani, Blerina Cereni,  Alma Deda, Anisa Cobaj, Mirsie Biba, Ifsjana Karriqi.  Në urgjencën e përgjithshmë është studentja Elda Shtylla

ORA  09: 40 : DREJTORI I SPITALIT USHTARAK: 5 STUDENTE NE TERAPI INTENSIVE

Drejtori i Spitalit Ushtarak Bedri Mihaj deklaron dëmtimet që kanë pësuar vajzat janë goxha serioze, por është shprehur optimist për mbarëvajtjen e shëndetit të tyre. Për 5 vajza ndërhyrja kirurgjikale ka qenë e domosdoshme dhe është kryer nga mjekët shqiptarë. Ndërkohë që njëra është operuar në Spitalin amerikan.

“Si aksidenti i madh që ishte edhe dëmtimet pothuajse të të gjitha rasteve janë goxha serioze, por sot gjëndja duket me shumë optimizëm e shumë shpresë. Dy raste që konsiderohen më të rënda janë me parametra të stabilizuar dhe do të vazhdojë ndjekja e tyre në mënyrë të pandërprerë. Duke i përsëritur skanerat, bilancin biokimik, dhe terapi të rreptë intensive. Mbas orës 22:00 kanë ardhur dhe persona vip të cilët kanë dhuruar gjak por 0- dhe A- . Ishte solidaritet i madh dhe solli një numër të kosndierueshëm njerëzish që dhuruan gjak. Po ashtu 60 ushtarë janë të gatshëm për të dhuruar sot gjak. Sot do të vazhdojë dhurimi i gjakut. Por nevojat i kemi plotësuar. Ndërhyrjet kirurgjikale të domosdoshme në 5 raste janë bërë nga ekipet tona. Nuk gjykojmë që ka raste për ndëryrhje të re. Ato janë në terapi intensive dhe ne do ia dalim atyre. Edhe sikur të ketë indikacion për të dalë nga reanimacioni, sot do i mbajmë aty. Ne jemi optimist, i kemi nën kontroll. Një gocë me dëmtime më të mëdha të mëlqisë, kishte hemorragji të madhe, por ia dolëm të rikonstruktonim mëlqinë. Një tjetër kishte dëmtime të shpretkës, tjetra dëmtime të aparatit urinar.  Nga ana teknike konsiderohen si raste të zgjidhura dhe nuk do ketë pasoja të invaliditetit. Një nga vajzat është operuar në Spitalin Amerikan."- deklaroi Mihaj në një prononcim për median  para Spitalit ushtarak.


ORA 08:26 FLORIE PEÇI NE KOMA, 3 STUDENTE TE TJERA RENDE

Mjekët e Spitalit Ushtarak bëjnë të ditur se 11 studente ndodhen në gjendje të rëndë në reanimacion. Në gjendje më kritike, është Florie Peçi. “Studentja ndodhet në koma dhe jeta e saj varet në fije të perit”- bënë të ditur burime nga Spitali Ushtarak për TV A1 REPORT. Në gjendje të rëndë janë dhe tre studente të tjera, ndërsa më e stabilizuar paraqitet shëndeti për 7 studente.

ORA 07: 59 DY STUDENTE NE SPITAL USHTARAK NE GJENDJE TE RENDE

Burime nga Spitali Ushtarak, i bënë të ditur Tv A1 REPORT se mbetet kritike gjenda shëndetësore e dy studenteve. Vajzat (për momentin nuk dihen emrat) ndodhen në terapi intensive. Në Spitalin Ushtarak mjekët thonë se 12 nga 15 studentët, që mbërritën dje pasdite, ndodhen në gjëndje shumë të rëndë. Mjekët thonë se ata kanë dëmtime në çdo pjesë të trupit dhe 24 orët e ardhshme do të jenë përcaktuese për ecurinë e shëndetit të tyre. Gjatë natës policia identifikoi viktimat dhe të plagosurit. 

ORA 07:41-  VLORE, FAMILJARET TEHEQIN TRUPAT NGA MORGU

Rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm trupat e 11 vikimave që ishin vendosur në morgun e Vlorës janë tërhequr nga familjarët e tyre për të zhvilluar ceremoninë mortore.

ORA 06: 10 QEVERIA PERBALLON SHPENZIMET E CEREMONISE MORTORE, NE OREN 12:00 NJE MINUTE HESHTJE

Sot në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje. Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës të transmetojë muzikë funebre. Ministria e Brendshme është ngarkuar të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave.

ORA 02:19- IDENTIFIKOHEN TE GJITHA VIKTIMAT E AKSIDENTIT NE HIMARE

Janë identifikuar të gjitha viktimat që ndodhen në morgun e qytetit të Vlorës dhe spitalin Ushtarak të Tiranës pas aksidentit të rëndë që ndodhi në aksin rrugorë Vlorë-Himarë. 
TE VDEKUR
1. Denisa Flamur Guzi, vjeç 21, banuese në fshatin Mashan, Komuna Kodovjat, Gramsh
2. Ermira Idriz Mana, vjeç 22, banuese në fshatin Shelcan, Elbasan
3. Aurora Artan Molla, vjeç 21, nga fshati Verdove i Pogradecit
4. Lindita Hekuran Kabashi, vjeç 21, banuese në fshatin Shtermen, Komuna Gostime, Elbasan
5. Joana Flamur Debinja, vjeç 22, nga fshati Çermë Sektor, Komuna Tërbuf, Lushnjë
6. Elsa Gëzim Daka, vjeç 22, nga Elbasani banuese në fshatin Kuqan,
7. Juliana Dilaver Tola, vjeç 21, banuese në fshatin Mirak, Librazhd,
8. Fabiola Mustafa Shehi, vjeç 22, nga Bërxulla Tiranë
9. Eriola Sajmir Xhoi, vjeç 28, nga Elbasani,
10. Eranda Kristaq Baloshi, vjeç 22, banuese në fshatin Katundi i Ri Bradashesh, Elbasan
11. Dorina Hasan Stafa, vjeç 21, nga Kruja
12. Armand Halilaga, vjeç 23, nga Kavaja
13. Pëllumb Çela, drejtuesi i mjetit, nga Elbasani


TE PLAGOSURIT

Ndërsa, Kaltra Pollozhani, Alma Deda, Eranda Bato, Antoneta Taçe, Doriana Kumria, Anisa Çobaj, Shegushe Haka, Elsa Shtylla, Ifsjana Karriqi, Mirsie Biba, Besjana Dani, Briselda Gubere, Florije Peci, Blerina Çereni, Griselda Zeneli po kurohen në spitalin Ushtarak në Tiranë. Pjesa tjetër e studentëve që vijon më poshtë janë në gjendje më të mirë shëndetësore po kurohen në Vlorë. Elidona Gjinaj, Enkela Daja, Ticiana Hysa, Juliana Kuqi, Ergita Opingari, Adjola Musaka, Liri Hasa, Besjana Xheneti, Adisa Çela, Anisa Hysa. Në gjendje shumë të mirë shëndetësore paraqitet Arta Ballabani, e cila është në spitalin e Himarës.

ORA 01:09- TERHIQET MINISTRIA E SHENDETESISE: VIKTIMAT JANE 13

Pas deklaratës së ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili që numri i viktimave në aksidentin në Himarë është 14-të, ka pasur një kakofoni të numrit të saktë të shifrave. Pasi në morgun e qytetit të Vlorës ishin 11-të dhe në spitalin Ushtarak 2 viktima. Kjo ka bërë që ministria e Shëndetësisë të tërhiqet dhe të korigjonte numrin e saktë duke deklaruar që numri i saktë për momentin është 13 viktima.

ORA: 01:00 VIKTIMAT NE MORGUN E VLORES ME IFA USHTRIE, VENDOSEN NE LAVANDERI

Dy ifa të ushtrisë dhe po ashtu edhe dy autoambulanca të ushtrisë gjysëm ore pas mesnate kanë sjellë trupat për në morgun e Vlorës nga ku do të bëhen edhe verifikimet e nevojshme. Por ato nuk kanë shkuar në morg, por në lavanterinë e spitalit. Sepse sipas informacioneve nga spitali i Vlorës, në morgun e këtij spitali ka vetëm dy vende. Ndërkohë drejtori i Vlorës Shkëlqim Selmani deklaroi në mbrëmje për “shqiptarja.com” se identifikimi i viktimave do të bëhet përgjatë gjithë natës. “Procesi është i vështirë sepse trupat e studentëve kanë shumë dëmtime. këtu janë familjarë të tyre por edhe rektori i universitetit të Elbasanit” deklaroi Selmani. Në spitalin e Vlorës ndodhej edhe rektori i Universitetit të Elbasanit Liman Maroshi, si dhe dy pedagogë të cilët ndihmuan në identifikimin e studentëve. Viktimat kanë pësuar dëmtime të rënda në trup, çka vështirëson edhe identifikimin e tyre.

ORA 00:39- MINISTRI I SHENDETESISE PETRIT VASILI: VIKTIMAT JANË 14

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili numri i viktimave në aksidentin e Himarës ka arritur në 14-të. Viktima e fundit është Dorina Stafa, e cila nuk ka arritur që të mbijetojë pas plagëve të rënda të pësuara nga rrëzimi i autobuzit.

ORA 00:09- POLICIA: IDENTIFIKOHET NJË TJETËR E PLAGOSUR, FLORIE PECI

Policia e shtetit bëri të ditur se “është identifikuar dhe një tjetër shtetase që po kurohet ne spitalin Ushtarak në Tiranë Florie Peci, ndërkohë që ka mbetur akoma paidentifikuar një shtetase që ndodhet në morg”.

AKSIDENTI TRAGJIK

Ne orën 156: 45 minuta të 21 majit 2012, autobusi me targa EL 2274 B që drejtohej nga shoferi Pëllumb Çela doli nga rruga duke përfunduar në një greminë rreth 80 metra të thellë. Drejtuesi i autobusit është konfirmuar që në minutat e para që ka humbur jetën, ndërsa bilanci i studentëve të vdekurve u shtua orë pas ore. Të gjithë studentët në autobuzin e përmbysur kanë qenë vajza të cilat studionin për Letërsi në Universitetin "Aleksandër Xhuvani". Viktimat ishin duke u kthyer nga një ekspeditë mësimore me temë në “kërkim të fjalës”. Në ekspeditë ishin nisur dy autobusë me rreth 120 studentë të Universitetit. Ndërkohë që u aksidentua vetëm njëri prej autobusëve.
Ndihmën e parë për të aksidentuarit e dhanë udhëtarit e një autobuzi me targa greke, ndërsa më pas në vendngjarje mbërritën forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Repartit Delta Force dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore si dhe banorë të zonës.Fotot dhe videot e sjella në redaksinë e “Shqiptarja.com” dhe TV A1 REPORT kanë qenë tejet shokuese.
(im/sg/aq/db/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD-së/ Tek  Zogu i Zi policia krijon një rrugë për të lehtësuar trafikun e makinave që vijnë nga ish-sheshi Shqiponja

Protesta e PD-së/ Tek Zogu i Zi policia krijon një rrugë për të lehtësuar trafikun e makinave që vijnë nga ish-sheshi Shqiponja