TIRANE- Eriselda Gubere (ne foto) nga një fshat i Lushnjes është njëra prej vajzave që është më rëndë. Sytë e të atit të saj, Kadriut, janë gjatë gjithë kohës të mbushura me lot. Siç na i thotë ai "nuk i hiqet nga mendja pamja e së bijës lidhur pas aparaturave". "E kam parë, - na tregon i ati i Eriseldës, - por ç'të shikoja. Kur e pashë ashtu me ata aparaturat, nuk di ç'të të them. Me thënë të drejtën është rëndë, është shumë rëndë. Ka tre rruaza të shtyllës kurrizore të dëmtuara, që i kanë lëvizur nga vendi dhe bëjnë që truri të mos i furnizohet normalisht me oksigjen. Natën e aksidentit iu nënshtrua edhe një operacioni ku i hoqën shpretkën, ndërkohë që Eriselda ka lindur me një veshkë. Mjekët na kanë thënë që ka edhe një krisje në legen. Pra është shumë rëndë, por mjekët na kanë dhënë shpresa dhe ne shpresojmë për më të mirën", - na thotë i ati i Eriseldës, Kadri Gubere, i cili që prej natës së aksidentit nuk është larguar për asnjë çast nga dera e reanimacionit të Ushtarakut, ku ndodhet vajza e madhe e tij, vetëm 20 vjeçe. "Por sërish i jap forcë vetes, kur mendoj se prindërit e tjerë i vajtuan vajzat e tyre, unë i jap shpresë vetes se e kam në jetë vajzën dhe ajo e ka akoma një mundësi për të jetuar", - na thotë i ati i Eriseldës. Më tej ai shton se do të mirëpresë çdo vendim të mjekëve për trajtimin e saj. "Unë e kam lënë në dorë të shtetit dhe të mjekëve. Ata e dinë se ç'është më e mira për të, siç më kanë thënë ata do të shikojnë mundësinë që ta dërgojnë jashtë. Unë uroj vetëm që vajza ime të zgjohet dhe të bëhet sërish mirë. Për mua kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi", - na thotë i ati i Eriseldës që pret me padurim ndonjë lajm nga mjekët për gjendjen shëndetësore të vajzës së tij. Një tjetër vajzë që është në gjendje të rëndë te reanimacioni i spitalit Ushtarak, është edhe Florije Peçi. Ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale mesditën e së martës, pra një ditë pas aksidentit, por sërish ajo vazhdon të jetë në gjendje kome dhe mbahet në jetë me frymëmarrje artificiale. Edhe të afërmit e saj janë shumë të tronditur. Ata na thonë se ende nuk kanë mundur ta shohin vajzën e tyre pasi mjekët nuk i kanë lejuar të futen në sallë. "Rëndë është. Ç'tju themi! Ne akoma nuk e kemi parë, por mjekët na kanë dhënë shpresë. Na kanë thënë se çdo orë që kalon, i shton mundësitë e saj për të dalë nga gjendja e rëndë. Ne shpresojmë se mjekët do të vendosin më të mirën për të. Nëse ata vendosin ta çojnë jashtë për kurim ne do ta mirëpresim vendimin e tyre" , - na shpjegojnë familjarët e Florije Peçit. Ndërkohë që Kaltra Pollozhani është një tjetër vajzë që është në terapi intensive, por gjendja e saj është përmirësuar dukshëm, ndërsa 6 vajza të tjera që ndodhen në reanimacion pritet që sot të dalin nga ky pavijon dhe të shtrohen në pavijonin e kirurgjisë. Ndërkohë që sot këto dy vajza do të nisen për kurim në Austri.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)