Një ortek ka vrarë tre skiatorë në vendpushimin luksoz të Val d’Isere në Alpet Franceze.

Sipas mediave të huaja, nga orteku veç viktimave ka mbetur i lënduar edhe një shtetas britanik.

Viktimat ishin pjesë e një grupi prej gjashtë skiatorësh që po bënin ski jashtë pistës së kontrolluar, nën shoqërinë e një instruktori profesionist.

Të gjithë ishin të pajisur me pajisje sigurie kundër ortekëve, përfshirë transmetues, lopata dhe sonda, shkruan Daily Mail.

Prokurori Bachelet shtoi se testet e alkoolit dhe drogës ndaj instruktorit dolën negative, ndërsa shefi i pistave, Cedric Bonnevie, theksoi se një nga viktimat duket se është bllokuar lart në shpat, ndërsa dy të tjerët ishin më poshtë dhe nuk mund të parashikonin ortekun që i rrëmbeu.

Më herët, Meteo-France kishte lëshuar një alarm të kuq për rrezik ortekësh në zonën lokale. Disa ditë më parë, dy skiatorë të tjerë humbën jetën pas një orteku në Alpet franceze, ndërsa një tjetër vdiq në Montgenevre.

Ortekët janë kthyer në një kërcënim të vazhdueshëm për skiatorët këtë sezon, duke shkaktuar të paktën 20 viktima në Alpet franceze, zvicerane, italiane dhe austriake.