Akademia Fiskale, është nisma më e fundit e paraqitur nga qeveria që synon trajnimin e gjithë administratës fiskale të vendit.
Hapja e Akademisë “Etika e punonjësve të Administratës Tatimore dhe Doganore” u bë gjatë një ceremonie me të pranishëm kryeministrin Edi Rama dhe 3 ministra të kabinetit qeverisës.
"Askush nga investitorët nuk vendosi taksat por thuajse unanimisht problem kryesor ishte administrata, pastaj gjyqësori, siguria e titujve të pronësisë dhe më pas kualifikimi i krahut të punës dhe në fund niveli i taksave. Sikur ti kishim dedikuar po atë pasion e vëmendje që i kemi dedikuar asfaltit me siguri do të kishim shtruar sot dyfish rrugën drejt BE ” u shpreh Rama.
Rama sqaroi se me trajnimet intensive në 3 muajt që do të vijnë, synohet t'i jepet fund analfabetizmit në dogana, tatime apo dhe në inspektoriatin e kontrollit ushqimor. Kryeministri tha se ky është vetëm fillimi , pasi mekanizmi i trajnimeve do të vazhdojë gjatë gjithë kohës, për t'i kthyer me standarde europiane këto institucione të rëndësishme
“Ambicia është që në prill maj qershor të gjithë inspektorët e doganave e tatimeve, edhe ata që kanë sipërmarrjen të kalojnë në këtë proces dhe këtë kurs që po e them pak brutalisht por i tillë është kundër analfabetizimit fiskal. Çdo inspektor tatimor e doganor të mos jetë analfabet fiskal por të jetë në gjëndje të gjykojë e zgjidhë brenda ligjeve problemet e një sipërmarrjeje dhe të mishërojë sigurinë e marrëdhënieve. Në mënyrë që ankesat lum që rrjedhin me sms e telefonata në veshët e drejtorëve të tatimeve të shkojnë duke rënë e mundësisht të zerohen, nënvizoi Rama.
Më herë ishin edhe 3 ministrat e kabinetit Rama, ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ministri i Financave Shkëlqim Cani, ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj që argumentuan se ky është një hap i rëndësishëm për luftën korrupsionit dhe modernizimit të gjithë sistemit fiskal .
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u shpreh se e gjithë administrata do të trajnohet.
“Sot po flasim për administratën fiskale. Ky është fillimi i trajnimeve të të gjithë administratës. Janë edhe institucionet e e tjera. Do të zgjasë mbi 2 muaj dhe vjen për përmirësimin e kapaciteteve të administës, për të arritur objektivin e maksimizimit të të ardhurave të buxhetit dhe pët t’i shërbyer me profesionalizëm tatim paguesve”.
Këto trajnime do të kryhen nga përfaqësuesit e Crown Agents. Në fund të çdo periudhe pritet që punonjësit e administratës fiskale të japin edhe provime.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)